Çmimet e karburanteve me rregull të ri: Vendim një herë në javë, dizeli ja sa mund të shtrenjtohet

Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE) ka ndryshuar metodologjinë për përcaktimin e çmimeve të derivateve të naftës, duke vendosur që çmimet maksimale me pakicë të përcaktohen vetëm një herë në javë, çdo të hënë.

Rregullorja e re, e miratuar më 4 mars, parasheh që llogaritja e çmimeve të bazohet në mesataren e shtatë ditëve të fundit. Me këtë vendim është hequr edhe mekanizmi që i lejonte RKE-së të bënte korrigjime të jashtëzakonshme gjatë javës kur ndryshimet në bursë ose kursi i këmbimit kalonin pragun prej 2 denarësh për litër.

Njohës të tregut paralajmërojnë se, sipas lëvizjeve aktuale të çmimeve të importit, dizeli mund të shtrenjtohet javën e ardhshme nga 12 deri në 15 denarë për litër, duke arritur rreth 85 denarë.

Sipas analistëve, vendosja e një cikli javor të çmimeve mund të krijojë presion mbi furnizimin në rast të rritjes së shpejtë të çmimeve të importit gjatë javës, pasi tregtarët nuk mund të ndryshojnë çmimet deri në vendimin e radhës të së hënës.

Ndërkohë, në disa pika karburanti janë raportuar radhë dhe tensione për furnizim me dizel. Në një njoftim të shpërndarë me vulën e kompanisë Lukoil përmendet kufizimi i shitjes së dizelit për kamionë të rëndë, traktorë dhe autobusë deri në 50 litra, si dhe ndalimi i furnizimit në kanistra të pasigurt./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu