Çmimet e karburanteve te ne, edhe pas shtrenjtimit, në mesin e më të ulëtave në rajon dhe Evropë

Çmimet e karburanteve në shtet prej sot janë më të larta, por edhe më tutje janë në mesin e më të ulëtave në krahasim me ato në vendet fqinje dhe vendet nga rajoni më i gjerë evropian, me përjashtim të Bosnjës e Hercegovinës dhe Turqisë, tregon krahasimi i të dhënave për çmimet e karburanteve nga sajti Fuelo.eu.

Pas rritjes së çmimit të naftës në botë, benzinat në shtet u shtrenjtuan për pesë denarë për litër, ndërsa dizeli për 14,5 denarë për litër, me çka çmimi i ri i shitjes me pakicë i EUROSUPER BS- 95 është 79,5 denarë për litër (1,289 euro), ndërsa i dizelit EURODIZEL BS (D-E V) 85,5 denarë për litër (1,386 euro).

Sipas Fuelo.eu, i cili ka pasqyrë të çmimeve të karburanteve në euro, nga vendet e rajonit, krahasuar me ato në vendin tonë, çmimet janë më të larta në Bullgari, ku një litër benzinë ​​95 shitet për 1,340 euro, ndërsa nafta për 1,440 euro, në Serbi benzina është 1,520 euro për litër, ndërsa nafta për 1,683 euro, në Greqi, benzina është 1,811 euro, ndërsa nafta 1,698 euro, në Kroaci benzina është 1,510 euro, ndërsa nafta 1,550 euro.

Çmimi i benzinës është më i ulët në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku një litër shitet për 1,185 euro, ndërsa ai i naftës është më i lartë dhe është 1,435 euro. Karburante më të lira ka në Turqi, ku një litër benzinë ​​95 kushton 1,095 euro, ndërsa një litër naftë kushton 1,264 euro. Në vendet e tjera evropiane, çmimet e karburanteve janë më të larta, në Slloveni çmimi i benzinës 95 është 1,451 euro, ndërsa nafta 1,509 euro, në Austri benzina është 1,660 euro, ndërsa nafta 1,753 euro, në Belgjikë benzina është 1,602 euro, ndërsa nafta 1,731 euro, në Gjermani benzina është 2,074 euro, ndërsa nafta 2,138 euro, në Spanjë benzina është 1,659 euro, ndërsa nafta 1,748 euro, në Francë benzina është 1,875 euro, ndërsa nafta 1,960 euro, në Hungari benzina është 1,456 euro, ndërsa nafta 1,503 euro, në Itali benzina është 1,879 euro, ndërsa nafta 2,076….

Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fundjavës porositi se në shtet ka mjaftueshëm naftë dhe derivate të naftës dhe se qytetarët duhet të jenë të qetë, duke paralajmëruar se Qeveria menjëherë do të ndërhyjë nëse ka rritje dramatike të çmimit.

“Patëm takim me distributorët kryesorë të naftës dhe derivateve të naftës. Konkluzioni i përbashkët ishte se ka mjaftueshëm naftë dhe derivate të naftës. Qytetarët duhet të jenë të qetë, këtu çmimi është dramatikisht më i ulët se në fqinjësi. Nëse një litër në Serbi është 120 denarë, këtu është 70, është njësoj nëse e krahasojmë me Kosovën, Shqipërinë. Edhe një herë, si Qeveri, tregojmë se standardi i qytetarëve është mbi të gjitha. Nëse ka rritje dramatike të çmimit të naftës dhe derivateve të naftës, Qeveria menjëherë, të martën, në seancë të rregullt, do të ndërhyjë. Kemi disa mundësi – nëse do të ulim akcizën ose TVSH-në, absolutisht do të qëndrojmë në mbrojtje të asaj që është në interesin tonë, e ai është standardi i qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

Sipas të dhënave të fundit të CNBC çmimi i naftës së papërpunuar WTI ra në 81 dollarë për barel, përderisa nafta e papërpunuar Brent ra në 84 dollarë për barel.

Kjo, sipas CNBC ndodh pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Tramp se lufta gati ka përfunduar.

Gjatë ditës së kaluar, çmimi i naftës arriti deri në 119 dollarë për barel, ndërsa për herë të fundit kjo ndodhi pas pushtimit rus në Ukrainë. Sipas CBNC tani situata po qetësohet shpejt.

Të dhënat për çmimet e gazit në Evropë, tregojnë se ato sot përsëri u rritën dhe e arritën nivelin më të lartë nga janari i vitit 2023. Rritja e çmimeve është për shkak të vendimit të Rusisë për ridrejtimin e gazit nga tregjet evropiane në tregjet aziatike dhe para ndalesës për import në Bashkimin Evropian.

Një megavat-orë gaz për dërgesë në prill u tregtua me 62,51 euro në bursën digjitale holandeze TTF këtë mëngjes, rreth 17 për qind më shtrenjtë se në mbyllje të tregtimit në fund të javës së kaluar. Në fillim të tregtimit të sotëm, çmimi i tij u rrit në 68,63 euro. Në krahasim me ditën e fundit të tregtimit në shkurt, para sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, çmimet e gazit aktualisht janë pothuajse dy herë më të larta, duke arritur nivelin e tyre më të lartë që nga janari i vitit 2023.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu