Daçiq komenton deklaratën e Albin Kurtit që tha se nuk ulet në tavolinë me Vuçiqin

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka folur për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se deklarata e Albin Kurtit se nuk dëshiron që në tryezën e bisedimeve të jetë Aleksandar Vuçiq, tregon se Kosova nuk është e interesuar për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e një kompromisi.

“Nëse ata (Kosova), vazhdojnë kështu, ne nuk jemi optimistë kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Daçiq para fillimit të seancës së Bordit Kryesor të Partisë së tij, i cili shtoi se sjellja e Kosovës karshi dialogut dhe Serbisë do të jetë një nga temat e këtij takimi, transmeton lajmi.

Siç shkruan “RTS.rs”, Daçiq ka thënë po ashtu se, pavarësisht faktit që Serbia ka një qasje konstruktive në dialog, nga veprimet e Prishtinës mund të konkludohet se është një “çmenduri politike” dhe akte të njëanshme që tregojnë se Kosova është faktori më i madh i paqëndrueshmërisë.

“Ky është një tregues se ata nuk kujdesen për dialogun dhe kompromisin. Problemi i vetëm është se ata nuk e kuptojnë se situata ka ndryshuar shumë”, theksoi Daçiq, duke shtuar se pozicioni i politikës së jashtme të Serbisë ka ndryshuar dhe se është përmirësuar kohëve të fundit në krahasim siç ka qenë në të kaluarën.

Daçiq po ashtu theksoi se, qëllimi më i rëndësishëm për qeverinë aktuale të Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, duke shtuar se duhet të ketë unitet politik dhe një situatë të qëndrueshme politike në Serbi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu