Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, është në vizitë në Moskë ku ka folur edhe për dialogun me Kosovën.
Ai ka deklaruar që Serbia është konstruktive në dialog dhe se dëshiron kompromis “që do të sjell paqe dhe stabilitet në planin afatgjatë”.
Më tej, ai shtoi që Serbia nuk do të pranonte “zgjidhje të imponuara dhe të njëanshme.”
“Ata na thonë “Hiqni dorë nga Kosova dhe Metohija dhe rruga drejt BE-së është e hapur për ju.” Kjo nuk është ajo që partnerët i thonë njëri-tjetrit. Ne duam të hyjmë në Bashkimin Evropian, po punojmë shumë për një gjë të tillë, dhe nuk e ndryshojmë atë qëllim, mirëpo ne nuk e pranojmë që në atë rrugë të vendosen pengesa që s’janë vendosur para askujt, dhe as që mund të pritet një gjë e tillë si njohja e shkëputjes së paligjshme nga ndonjë shtet sovran” – deklaroi Daçiq para Dumës së Rusisë.









