Trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “Il Corriere Dello Sport” ku ka pranuar se tani po mendon të ardhmen larg Shqipërisë me të cilën nuk do të rinovojë.
Ai tregoi se nëse do t’i kishte ardhur një ofertë nga një klub i rangut të Manchester City-it, nuk do të kishte pasur dyshime dhe do t’i kishte dhënë lamtumirën kuqezinjve.
“Kontrate me Shqipërinë mbaron fiks në kohën kur fillon çdo kampionat. Spanjë, Angli? Nuk e përjashtoj, përkundrazi, është një provë që do të dëshiroja të përballoja.
Është momenti i një zgjedhje të madhe. Shqipëria më ka dhënë shumë, ndjehem një prej tyre, por jeta vazhdon. Karriera ime është në evolucion. Jam 60 vjeç, në kohën e Palermos një njeriu të moshës time i thuhej ‘Qenka akoma gjallë!’. Tani ndjehem i ri dhe me shumë dëshirë për aventura të tjera. Siç na mësoi Ranieri”.
Më tej ai tregon se si refuzoi Palermon.
“Zamparini më ftoi në Aielo. U tregua shumë i sjellshëm. Të nesërmen më tha ‘Mister, eja se rregullojmë gjithçka’. Nuk dija si t’i thosha “jo” dhe kërkova dy ditë kohë. Nuk ma bënte zemra ndaj e gënjeva. ‘Më mban të lidhur Shqipëria’, ishte një justifikim. Po të ishte Mançester Siti do të kisha shkuar”.