“Dëgjova Erionin që po qante”, dëshmia e gardianit që i dha telefonin Veliajt

Një gardian është marrë i pandehur në lidhje me dosjen “Veliaj”. Fatjon Baçi akuzohet për veprën penale të “Futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Më saktësisht, ai dyshohet se i ka dhënë celularin e tij kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë që ky i fundit transportohej nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Bëhet fjalë për tre raste të ndodhura më 11, 12 dhe 13 mars. Veliaj ka telefonuar vëllain e tij, Arbër Veliajn dhe bashkëshorten, Ajola Xoxa, duke u kërkuar që të komunikojnë në WhatsApp.

Tv Klan ka publikuar dëshminë e gardianit të akuzuar nga SPAK për të gjitha këto raste. Ai tregon se çfarë ka biseduar Veliaj dhe më me interes shfaqet dëshmia për datën 13 mars, ditë ku Apeli e la në burg.

Veliaj, sipas gardianit ka folur për një “Plan B për të shpëtuar”, kryebashkiakë që do bëhen deputetë për t’i shpëtuar SPAK-ut dhe një ministër që e dinte se e kishte mik.

Dëshmia e gardianit
Baçi pretendon se pas mbarimit të seancës gjyqësore të zhvilluar më 11 mars, disa minuta pasi ishin nisur drejt Durrësit, Erion Veliaj i ka kërkuar një nder pasi donte të merrte vëllain e tij në telefon.

“Bisedën e parë e ka bërë me vëllain e tij, emrin e së cilit nuk e di. Në bisedë, unë dëgjova që Erioni tha: “folën avokatët, foli prokurori dhe gjyqtari.” Erioni në bisedë i thoshte se ishte shumë i shqetësuar për këtë pjesë. Në dijeninë time dhe siç më tha Erion Veliaj, ai do të bisedonte vetëm me vëllain. Nga ana juaj kam kuptuar që atë ditë kishte folur edhe me nusen e tij. Unë nuk arrita ta kuptoja kur u mbyll telefonata e parë dhe kur nisi telefonata e dytë, për shkak se në rrugë kishte zhurmë. Erioni e ka përdorur telefonin tim për 2-3 minuta”, thuhet në dëshminë e Baçit.

Kërkesën për ta përdorur telefonin, Erion Veliaj ia ka kërkuar gardianit edhe ditën tjetër (12 mars) para dhe pasi ka mbërritur në SPAK.

“Unë ia kam dhënë nisur nga frika që kisha, për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte”, rrëfehet Baçi.

Më tej, ai tregon për bisedën që ka bërë Erion Veliaj me të vëllanë.

“Thoshte se avokatët i kishin thënë që në seancë ke folur 10/10, pra shkëlqyeshëm, edhe Erioni i thoshte vëllait se avokatët kishin thënë se nuk kishin parë njeri kaq të përgatitur. Gjatë komunikimit me vëllain, Erioni i ka thënë se mund të kishte shpresa që të dilte, pasi vendimi ishte shtyrë për ditë tjetër. Erioni i shprehej se nuk ishte i kënaqur që shpallja e vendimit ishte shtyrë për ditën tjetër. Mesa kujtoj, pasi mbaroi bisedën mе vëllain Erioni nuk ma ktheu telefonin se bëri telefonatë tjetër, pa më thënë mua. Kujtoj se ka biseduar me gruan, e tij, Këtë gjë e kuptova se u dëgjua një zë femre. Me gruan e tij, foli të njëjtat gjëra si me vëllain. Erioni i thoshte gruas së tij, se në seancë kishte folur edhe për përgjimet që i kishin bërë. Po kështu, gjatë bisedës me bashkëshorten, Erioni i thoshte që të shkonte të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që mos i vinte aforfe”, tregoi Baçi.

Më pas, kryebashkiaku ka vijuar ta mbajë telefonin për të lexuar disa lajme.

“Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë”, tha gardiani.

Dëshmia e Baçit ka vijuar edhe për ditën e tretë të shoqërimit të Erion Veliajt drejt Tiranës. Bëhet fjalë për seancën ku Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që ta linte në burg kryebashkiakun. Sipas dëshmisë së gardianit, situata e Erion Veliajt ka qenë më e rënduar këtu.

“Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë dhe foli më vëllain e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Vëllait i thoshte: “Skam ca të them, e kanë me mua personale”. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin”, thuhet në dëshmi.

Biseda e Veliajt ka vijuar edhe më tej. Ai ka folur për një plan B për të shpëtuar. Sipas asaj që dëshmon gardiani, Veliaj i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se disa kryebashkiakë të tjerë “po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut”.

“Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci аро nјë me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut”, tregon Baçi.

Sipas Baçit, Veliaj ka folur edhe për Ulsi Manjën.

“Thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik”, thuhej në dëshmi.

Prokuroria e Posaçme kur i ka komunikuar akuzën Baçit thotë se ai ka përsëritur me dashje këtë veprim.

Dosja “Veliaj”
Më 23 korrik, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i komunikuan katër akuza zyrtare kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Edhe Ajola Xoxa u mor zyrtarisht e pandehur. E pandehur për rastin u mor edhe Klotilda Bushka, deputetja e Partisë Socialiste, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës. Siç raportoi gazetarja Daci një ditë më parë, në total për dosjen në fjalë janë marrë të pandehur 30 persona dhe shoqëri fizike.

Ndërkohë Adela Kondakçiu, financierja e Ajola Xoxës ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme duke e bërë e para e penduar grua që bashkëpunon për të zbardhur korrupsionin e zyrtarëve të lartë. E konsideruar si njeriu më i besuar i Xoxës, Kondakçiu është ndërkohë e pandehur në të njëjtën çështje me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu