Është sjellë në Gjykatë punonjësja e misionit të OSBE-së, Jelena Gjukanoviq e akuzuar për veprën penale “Spiunazh”.
Prokuroria Speciale e akuzon atë se ka kryer veprën penale deri në momentin e arrestimit të saj, në shkurt 2025.
Sipas aktakuzës, Gjukanoviq si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.
Përveç komunikimeve me të dënuarin për spiunazh, Aleksandër Vllajiq, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq ka komunikuar edhe me zyrtarë të tjerë të BIA-s serbe.
Ajo akuzohet se ka ndihmuar edhe në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.
Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të vitit të kaluar, nën akuzën se ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë.
Në seancën fillestare Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme.










