Deputetët miratuan ndryshimet me të cilat do të paguhet 18% TVSH për porositë deri në 22 euro nga dyqanet online jashtë vendit si Temu, Shein dhe AliExpress. Këto porosi deri tani ishin të përjashtuara nga tatimet. Për ndryshimet votuan 59 deputetë, ndërsa 12 ishin kundër. Praktikisht kjo do të nënkuptojë rritje të çmimit për porositë deri në 22 euro, të cilat deri tani nuk ishin të tatueshme.
Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski, tha se qëllimi është të mbrohen tregtarët tanë të vegjël. Më tej ai u shpreh se ky përjashtim tashmë është hequr edhe në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa në Shqipëri është në procedurë.
-Arsyeja kryesore për këtë ndryshim është krijimi i një kornize më të qartë ligjore, parandalimi i abuzimeve, pozita më e drejtë dhe e barabartë e bizneseve të vogla në Maqedoninë e Veriut krahasuar me ato jashtë vendit për pagesën e TVSH-së. Po ashtu, që nga 1 korriku 2021 Bashkimi Evropian me një direktivë e ka hequr këtë përjashtim”, tha Nikolçe Jankullovski.
Disa deputetë mbështesin, të tjerët kundërshtojnë.
“Vetëm vitin e kaluar mbi 1.000 ton produkte të vogla u futën në Maqedoninë e Veriut pa u taksuar. Kjo krijon konkurrencë të pandershme. Prandaj, mendoj se kjo zgjidhje ligjore duhet të mbështetet dhe unë personalisht do ta votoj, sepse në këtë mënyrë vendosim tregtarët maqedonas në një pozitë më të barabartë”, u shpreh Natasha Stankoviq.
“Ekonomia e zezë lulëzon kur keni një tatim të sheshtë mbi fitimin, nga ku duhet të mbushet buxheti. Ju vendosni që një pjesë e madhe e të ardhurave nga TVSH-ja, që në qarqet e majta njihet si tatimi i të varfërve, të mbushet më tej. Praktikisht, buxheti bosh do të mbushet nga qytetarët tanë që blejnë goma flokësh, bojëra…”, tha Rexhep Ismail.
Ligji pas kalimit të filtrave kuvendore hyn në fuqi 8 ditë pas publikimit në „Gazetën Zyrtare“.










