Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Islam Alijaj (PS), ka kërkuar që ushtria zvicerane të hapë më shumë mundësi shërbimi për personat me aftësi të kufizuara, duke e konsideruar testin aktual të fitnesit “diskriminues”, përcjell Le Canton.
Sipas Alijajt, shumë të rinj me aftësi të kufizuara përjashtohen menjëherë nga rekrutimi, edhe pse mund të kontribuojnë në fusha ku nevojiten aftësi teknike, sidomos në sigurinë kibernetike. “Luftërat e ardhshme zhvillohen para kompjuterëve. Shumë prej tyre kanë njohuri që ushtria mund t’i shfrytëzojë,” tha ai.
Ai theksoi se shërbimi duhet të mbetet vullnetar, por ata që duan “duhet të gjejnë vendin e tyre në ushtri”.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e dënoi Zvicrën në vitin 2021 për përjashtimin e padrejtë të personave me aftësi të kufizuara. Që atëherë, ushtria është e detyruar të ofrojë një pozicion të përshtatshëm ose kompensim financiar për ata me aftësi të kufizuara të lehta.
Ushtria thotë se mbi 1,400 persona me kufizime janë pranuar midis viteve 2013 dhe 2024, por nuk komenton pyetjet specifike të mocionit të Alijajt. Këshilli Federal pritet të japë përgjigje në javët e ardhshme./INA/










