Deri me 8 janar mot i ngrohtë dhe me shi, pastaj ngrica

Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik dhe një serie valësh ajrore të lagështa nga perëndimi dhe jugperëndimi, gjatë kësaj jave në Maqedoninë e Veriut do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me reshje të shpeshta, herë pas here edhe më të dendura shiu. Reshjet në disa momente do të shoqërohen me erë të përforcuar nga jugu, ndërsa në disa vende priten reshje të dendura shiu, mbi 30 litra për metër katror, ndërsa në pjesët perëndimore të vendit sasia mund të tejkalojë edhe 50 litra për metër katrorë.

“Kushte të ngjashme moti do të ketë edhe në Shkup dhe rrethinë, ku priten reshje të herëpashershme shiu, mdonjëherë më të dendura, të shoqëruara me erë të përforcuar nga jugu. Temperaturat do të mbeten relativisht të larta dhe mbi mesataren për këtë periudhë të vitit, për shkak të qarkullimit të masës së ngrohtë të ajrit që vjen nga jugu”, DPHM.

Nga Drejtoria për Punë Hidro-Meteorologjike sqarojnë se temperaturat ditore do të arrijnë mbi 10 gradë, ndërsa edhe temperaturat e natës dhe të mëngjesit do të jenë mbi zero.

Nga e enjtja, më 8 janar, për shkak të depërtimit të një mase ajrore dukshëm më të ftohtë nga veriu, do të ketë ftohje të menjëhershme të motit. Temperaturat do të bien, do të rikthehet vlera tipike dimërore dhe do të shoqërohet me erë të përforcuar nga veriu. Si pasojë, reshjet e shiut në male dhe në vendbanimet më të larta do të shndërrohen në borë, duke krijuar shtresë dëbore. Sipas parashikimeve aktuale, kufiri i borës mund të zbresë edhe nën 1.000 metra mbi nivelin e detit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia për borë të herëpashershme edhe në zonat më të ulëta, përkatësisht në qytete.

Ndërkohë, ditët e fundit Maqedonia ka hyrë në një periudhë jashtëzakonisht të ngrohtë për janarin, me temperatura karakteristike për pranverën. Temperaturat e mëngjesit janë relativisht të larta dhe kudo mbi zero, ndërsa në disa vende edhe mbi 10 gradë. Këtë mëngjes në Petrovac të Shkupit temperatura ishte 14 gradë. Herë pas here fryn erë e përforcuar jugore, ndërsa në pjesët perëndimore tashmë janë regjistruar edhe reshje lokale shiu. /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu