Diaspora mban Ballkanin, por kush dërgon më shumë para në vendet e tyre

Paratë e dërguara nga diaspora mbeten një nga shtyllat më të forta ekonomike për vendet e Ballkanit, duke tejkaluar në disa raste investimet e huaja direkte dhe ndihmën ndërkombëtare. Të dhënat e fundit tregojnë dallime të mëdha mes vendeve të rajonit, si në shuma absolute ashtu edhe në peshën që remitancat kanë në ekonomitë kombëtare.

E para qëndron Serbia, diaspora e së cilës vitin e kaluar dërgoi 4.47 miliardë euro, duke e bërë vendin lider absolut në rajon për nga remitancat. Kjo shumë është disa herë më e lartë se ajo e vendeve fqinje dhe konfirmon rolin e madh ekonomik të mërgatës serbe, përcjell INA.

Pas Serbisë renditet Bosnja dhe Hercegovina me 1.99 miliardë euro, ndërsa Kosova dhe Shqipëria ndjekin me shifra pothuajse të barabarta – përkatësisht 1.32 dhe 1.28 miliardë euro.

Për këto dy vende, remitancat nuk janë vetëm ndihmë familjare, por një mekanizëm kyç stabilizues për konsumin, bilancin e pagesave dhe kohezionin social, përcjell INA.

Në fund të listës qëndrojnë Mali i Zi me 345 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut me 310 milionë euro. Megjithëse Maqedonia e Veriut shënon suficit të personalizuar prej 2% të PBB-së, trendi është shqetësues: remitancat kanë rënë nga 331 milionë euro në vitin 2022 në 319 milionë në 2023, për të zbritur më tej vitin e kaluar.

Ndërkohë, të dhënat e Eurostat-it tregojnë se fenomeni i remitancave po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha edhe në Bashkimin Evropian. Vetëm gjatë vitit të kaluar, banorët e BE-së dërguan 52.1 miliardë euro drejt vendeve jashtë Unionit, një rritje prej 6%, ndërsa hyrjet drejt familjeve brenda BE-së arritën 14.8 miliardë euro. Në pesë vitet e fundit, daljet e remitancave janë rritur me 51%, duke thelluar bilancin negativ të BE-së ndaj vendeve joanëtare në 37.3 miliardë euro.

Ekspertët vlerësojnë se remitancat do të mbeten burim jetik për ekonomitë e Ballkanit edhe në vitet në vijim, por paralajmërojnë se varësia e tepërt nga diaspora, pa investime strukturore dhe zhvillim të brendshëm, mund të kthehet në rrezik afatgjatë./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu