Automjete të parkuara rregullisht ka edhe në rrugën që lidh qendrën me Spitalin e Përgjithshëm, duke vënë në pikëpyetje sigurinë në komunikacion, pasi rruga është shndërruar praktikisht në parking, ndërsa qarkullimi zhvillohet në dy korsi.
Dekadën e fundit, qyteti i Dibrës ballafaqohet me problemin e vendparkimeve. Ky problem është debatuar shumë herë në seancat e institucioneve lokale dhe është theksuar se shkaku kryesor është mungesa e parkingjeve, e cila ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë e komunikacionit. Edhe pse deri tani janë ndërmarrë disa aktivitete për adaptimin e sipërfaqeve të caktuara me qëllim tejkalimin e këtij problemi, situata vazhdon të mbetet shqetësuese.
Numri i madh i automjeteve, sidomos gjatë sezonit veror, por jo vetëm, për shkak të ardhjes së banorëve nga komunat fqinje, si dhe të shtetasve shqiptarë në Dibër, kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për vendparkimet. Një ndër prioritetet e pushtetit vendor të ri është pikërisht ndërtimi i parkingjeve në pjesën qendrore të qytetit.
Aktualisht, rruga qendrore e Dibrës “Elena Gjika”, ku automjetet mund të qarkullojnë vetëm në një korsi, përdoret edhe si parking, gjë që e rëndon ndjeshëm komunikacionin. Kjo situatë vjen edhe për faktin se në Dibër parkingjet janë pa pagesë, çka bën që të ketë automjete të parkuara për muaj të tërë. Një parking që ka filluar të funksionojë me vendim të Këshillit Komunal para një viti ndodhet në afërsi të çerdhes “Breshia”, por ai nuk është i asfaltuar, për çka ka pasur shumë reagime nga pronarët e automjeteve.
Automjete të parkuara rregullisht ka edhe në rrugën që lidh qendrën me Spitalin e Përgjithshëm, duke vënë në pikëpyetje sigurinë në komunikacion, pasi rruga është shndërruar praktikisht në parking, ndërsa qarkullimi zhvillohet në dy korsi. Sheshi “Skënderbeu”, edhe pse është përcaktuar vetëm për kompanitë e taksive, është rregullisht i mbushur me automjete, ashtu si edhe hapësira para oborrit të Spitalit të Përgjithshëm të Dibrës.
Në një prononcim të fundit, kryetari i Komunës, Fisnik Mala, ka deklaruar se komuna do të nisë shumë shpejt përmirësimin e situatës me parkingjet. Sipas tij, pritet të ndërtohet një parking pas objektit të Qendrës për Kulturë, si dhe të krijohet infrastrukturë adekuate në parkingun pas objektit të Policisë. Po ashtu, ekzistojnë mendime që bulevardi i madh “Iliria” të shfrytëzohet si parking, pasi sipërfaqja e gjerë e rrugës e mundëson një gjë të tillë. Besohet se me ndërtimin e këtyre parkingjeve do të përmirësohet ndjeshëm situata me vendparkimet.
Në të kaluarën, disa herë është kërkuar që mungesa e parkingjeve të tejkalohet edhe me vendosjen e parkimit me pagesë, pasi Dibra është i vetmi qytet ku parkimi nuk paguhet. Numri i madh i automjeteve të banorëve lokalë dhe prania e automjeteve nga komunat fqinje, por edhe nga Shqipëria, kanë shkaktuar probleme serioze në sigurinë e komunikacionit. Disa herë, Komisioni për Siguri në Komunikacion pranë komunës ka theksuar se Dibrës i nevojitet një parking i madh në hapësirat publike të qytetit, për çka besohet se duhet të realizohet një projekt kapital. /koha.mk/Vjollca SADIKU/










