Shëtitorja “Taulantia”, e vetmja e qytetit bregdetar të Durrësit, është kthyer në një ambient të papërshtatshëm për të kryer shëtitje.
Bëhet fjalë për një nga zonat më të frekuentuara, ku aroma kundërmuese e ujërave të zeza, aroma e leshterikut dhe mungesa e ndriçimit janë disa nga problematikat me të cilat përballen qytetarët, ndërkohë që shëtisin përgjatë shëtitores tradicionale “Taulantia”, zonë e cila ndryshe njihet si “Vollga”.
Qytetarët ngrenë shqetë- simin, duke u shprehur se shëtitorja është kthyer në një zonë të pistë dhe të pamirëmbajtur nga autoritetet përgjegjëse apo nga vetë qytetarët e papërgjegjshëm.
Ata thonë se gjatë mbrëmjes, kur frekuentojnë shëtitoren, me qëllim që të marrin ajër të pastër, gjysmën e saj e përshkojnë me dorën përpara, pasi kundërmon era e keqe e ujërave të zeza që derdhen në det. Në një kohë që flitet për një bregdet të pastër nga Jugu në Veri të Shqipërisë, te “Vollga” ndodh krejt e kundërta. Ujërat e zeza duken me sy të lirë teksa derdhen në det, nëpërmjet kanalizimeve të vjetra.
Qytetarët thonë se është e paprecedentë që në vendin ku pastërtia dhe steriliteti duhet të jetë në maksimum, vendi qelbet nga ujërat e zeza dhe nga bregdeti i mbushur plot me shtresa leshteriku.
“Durrësi është kthyer në një qytet mjaft të pistë. E vetmja shëtitore e qytetit, ku përgjatë mbrëmjeve shëtisin me qindra e mijëra qytetarë durrsakë dhe turistë, është në gjendje mjaft të rëndë sa i përket higjienës. Është e pamundur të përshkosh shëtitoren (ku supozohet se do të marrësh ajër të pastër) pa vendosur dorën para gojës, pasi era e kanaleve të ujërave të zeza kundërmon. Autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masa urgjente, pasi po i bëjmë një reklamë mjaft negative shëtitores ‘Taulantia’, apo ‘Vollga’ siç quhet ndryshe.
Është një shëtitore tradicionale dhe duhej të ishte shembulli më i mirë i qytetit bregdetar”, shprehen qytetarët. Ujërat e zeza që derdhen në det nuk janë problematika e vetme me të cilën përballen qytetarët që frekuentojnë shëtitoren.
Ndriçimi dhe papastërtia nga leshteriku apo mbetjet urbane janë prezente çdo ditë në shëtitoren kryesore të qytetit. “Shikoni, autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e bregdetit nuk e kryejnë detyrën e tyre.
Si mund të lihet pa pastruar për ditë apo muaj me radhë bregdeti përgjatë shëtitores ‘Taulantia’, e cila frekuentohet nga qindra e mijëra qytetarë, pushues apo turistë të huaj? Pushtetarët janë përqendruar te fushata dhe s’e kanë mendjen fare te puna. Duhet të jenë më të përgjegjshëm, pasi i kemi zgjedhur që të na shërbejnë dhe jo të na katandisin në këtë derexhe.
Mungesa e higjienës në shëtitoren ‘Taulantia’ është një problem për të gjithë, pasi është e vetmja shëtitore me të cilën krenohet qyteti i Durrësit”, shprehen qytetarët.
Leonidha Musaj










