Negociatat për koalicion qeverisës në Bullgari janë duke vazhduar tash e katër ditë, thotë gazetarja e Radios Kombëtare Bullgare, Tonya Dimitrova, e ftuar në emisionin e sontëm “360 gradë” të Alsat.
Siç shton ajo, grupet e ekspertëve nga të katër partitë që duhet të formojnë kabinetin qeveritar diskutojnë para opinionit për tema të ndryshme në përpjekje për të gjetur marrëveshje për çështje të ndryshme me interes shtetëror.
“Çdo ditë grupet e ekspertëve ndryshojnë, diskutojnë propozimet e tyre me orë të tëra dhe e gjithë kjo transmetohet drejtpërdrejt, online, në Facebook dhe çdo bullgar mund të shikojë diskutimet. Kjo po ndodh për herë të parë në vendin tonë”, tha Dimitrova.









