Dita Botërore e Gjuhës Amtare: midis identitetit, politikave gjuhësore dhe sfidave të globalizimit

Donika Bakiu

Çdo 21 shkurt, me nismën e UNESCO, shënohet Dita Botërore e Gjuhës Amtare një datë që e tejkalon simbolikën përkujtimore dhe shndërrohet në një moment reflektimi mbi fatin e diversitetit gjuhësor në botë. Kjo ditë lidhet me ngjarjet e vitit 1952 në Dhaka, ku studentë bengalezë protestuan për njohjen e gjuhës së tyre amtare, duke e kthyer çështjen e gjuhës në emblemë të të drejtave kulturore.

Sot, në një realitet të dominuar nga globalizimi dhe teknologjia, mbi 7.000 gjuhë fliten në botë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre rrezikon zhdukjen. Homogjenizimi kulturor, migrimi dhe dominimi i gjuhëve globale kanë krijuar presion të vazhdueshëm mbi gjuhët me përdorim të kufizuar. Në këtë kontekst, mbrojtja e gjuhës amtare nuk është thjeshtë çështje sentimentale, por strategji për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të pluralizmit epistemik.

Gjuha amtare është matrica e parë e përvojës dhe mendimit,ajo strukturojnë identitetin individual dhe kolektiv, transmeton kujtesën historike dhe kodifikon universin simbolik të një komuniteti. Për këtë arsye, arsimi në gjuhën amtare veçanërisht në ciklet e hershme mbetet një nga instrumentet më efektive për zhvillimin kognitiv dhe përvetësimin e suksesshëm të gjuhëve të tjera.

Për gjuhën shqipe, kjo ditë shërben si thirrje për përgjegjësi institucionale dhe akademike: forcim të standardit, zhvillim terminologjik në fusha shkencore e teknologjike dhe mbështetje për ruajtjen e shqipes në diasporë. Integrimi i saj në hapësirat digjitale dhe në komunikimin shkencor është kusht për funksionalitetin dhe vitalitetin afatgjatë.

Dita Botërore e Gjuhës Amtare na rikujton se diversiteti gjuhësor nuk është relike e së kaluarës, por pasuri e gjallë e njerëzimit. Sfida e kohës sonë nuk është uniformizimi, por bashkëjetesa harmonike e gjuhëve ku gjuha amtare mbetet themeli i identitetit dhe i kulturës në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu