Pas zgjedhjeve, fillon dita e parë si Papë për Robert Prevostin. Në orën 11:00, Leo XIV do të kremtojë meshën në Kapelën Sistine në prani të kardinalëve që e zgjodhën në Konklavë.
Të dielën ai do të dorëzojë Angelus-in e tij të parë historik në orën 12:00 nga lozha qendrore. Midis riteve dhe ngjarjeve të planifikuara, të hënën, më 12 maj , në orën 10:00, siç është bërë tashmë traditë, Papa Prevost do të takohet me operatorët e mediave për një audiencë në Sallën Pali VI.
Në daljen e tij të parë si udhëheqës shpirtëror i rreth 1.4 miliardë katolikëve, ai u shpreh: “Paqja qoftë me të gjithë ju”.
“Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse. Vjen nga Zoti, Zoti që na do të gjithëve pa kushte. Ende e kemi në vesh atë zë të dobët, por gjithmonë të guximshëm të Papa Françeskut që bekoi Romën! Papa që bekoi Romën ia dha bekimin e tij botës, të gjithë botës, atë mëngjes të Pashkëve. Më lejoni të vazhdoj me të njëjtin bekim: Zoti kujdeset për ne, Zoti na do të gjithëve dhe e keqja nuk do të mbizotërojë! Ne të gjithë jemi në duart e Zotit. Prandaj, pa frikë, të bashkuar dorë për dore me Zotin dhe midis nesh, le të ecim përpara”, tha ai më tej në daljen e parë nga ballkoni në sheshin Shën Pjetër.