Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyre për Kosovë e Metohi’ në qeverinë serbe reagoi për herë të dytë sot ndaj Albin Kurtit, Kryetarit të Vetëvendosjes, por kërkoi përgjigje nga BE’ja tani pasi ky i fundit tha se duhet shqyrtuar ato edhe një herë marrëveshjet mes Prishtinës e Beogradit.
Albin Kurti kishte deklaruar se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Prishtinës e Bogradit duhen të rishikohen që nxiti edhe reagimin e Djuric.
“Së pari duhet ta shohim se çfarë është zbatuar, çfarë jo dhe duhet ta shohim se cila ishte përmasa e ndikimit të atyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve, t’i nxjerrim mësimet e duhura sesi të ecim sigurt përpara”.
Djuric tha se vlerësoi se qëndrimi i kryeministrit të mundshëm të qeverisë së Kosovës për rishikimin e marrëveshjeve mes Prishtinës – Beogradit bashkë me kundërshtimin e tij për kompromis, po i varros gjasat për normalizim të marrëdhënieve. Djuric kërkoi llogari nga BE’ja po ashtu.
“BE’ja duhet përfundimisht ta thotë se ka sado peshë fjala e saj dhe të përgjigjet se a kanë vlerë marrëveshjet e arritura me garancinë e saj” tha Djuric.
Djuric nuk po i kursen ofendimet dhe ka ashpërsuar retorikën ndaj liderëve kosovarë, shtoi se me anulimin e marrëveshjeve po kthehet historia prapa.
“Kurti që qartë nuk e di as sa marrëveshje janë arritur, do të duhej ta dinte, së bashku me liderët tjerë separatistët, se 2377 ditë, se 389 javë, 78 muaj e 6 vite e gjysmë Prishtina e gënjen gjithë botën për detyrimin e marrë formalisht që të formoj Asociacioni i Komunave Serbe” shkruhet në deklaratën me shkrim të Djuric.
Djuric vazhdoi me të tijën e tha se Kurti “Po i gënjen popullin shqiptarë, gënjen bashkësinë ndërkombëtare dhe BE’në”. Siç vlerësoi ai, “me shfuqizimin e marrëveshjeve të Brukselit,” Kurti “po kthen rrotën e historisë prapa dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe pasojat e mundshme të qëndrimit të tillë”. /gazetametro