Deklarata të ashpra politike, kërcënime dhe gjuhë fyese ndaj institucioneve shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevës dhe boshnjakëve pati në konferencën për media pas shpalljes së fitores së Sinisha Karan në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska.
Presidentja në detyrë e Republikës Srpska, Ana Trishiç-Babiç, ka deklaruar se partia e saj, (SNSD) ka arritur fitore falë qytetarëve të RS-së, duke shtuar se, sipas saj, janë penguar planet e Sarajevës, opozitës dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare. Ajo ka kërkuar miratimin e një ligji zgjedhor të veçantë për entitetin serb në BeH, duke e cilësuar procesin e fundit zgjedhor si “përdhunim të demokracisë”, shkruan mediumi “avaz”, shkruan KosovaPress.
Kryeministri i Republikës Srpska, Savo Miniç, ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet shtetërore për “shembje të sistemit”, duke përmendur Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe përfaqësuesin e lartë Christian Schmidt.
Deklaratat më kërcënuese janë bërë nga lideri i SNSD-së, Milorad Dodik, i cili paralajmëroi masa konkrete kundër shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Ai tha se shumë shpejt do t’i propozojë Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kthimin e të gjitha kompetencave të transferuara nga Marrëveshja e Dejtonit.
Sipas Dodikut, kjo përfshin rikthimin e ushtrisë së Republikës Srpska, policisë kufitare, shërbimit të inteligjencës, si dhe shfuqizimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe sistemit fiskal shtetëror.
Ai gjithashtu përdori gjuhë të ashpër dhe nxitëse ndaj boshnjakëve dhe Sarajevës, duke i cilësuar ata si armiq.
“Myslimanët dhe Sarajeva myslimane janë armiqtë tanë. Ata e kanë treguar këtë kudo që kanë mundur”, deklaroi Dodik.
Dodik kërcënoi sërish me shkëputje, duke thënë se e drejta për vetëvendosje deri në pavarësi mbetet një qëllim politik i Republikës Srpska dhe se nuk do të heqin dorë prej saj. Ai shtoi se, sipas tij, Bosnja dhe Hercegovina po përdoret për të “nënshtruar të krishterët”.
Në fjalimin e tij, Dodik bëri edhe deklarata të ashpra dhe të diskutueshme lidhur me gjenocidin në Srebrenicë, si dhe paralajmëroi tërheqjen e stafit serb nga institucionet shtetërore, duke garantuar se autoritetet e RS-së do t’u sigurojnë paga.
Në fund, Dodik deklaroi se do ta drejtojë të gjithë energjinë e tij politike drejt krijimit të një Republike Srpska të pavarur, duke hedhur poshtë Bashkimin Evropian dhe duke pretenduar se RS ka mbështetje ndërkombëtare për këtë qëllim.










