Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik u thuri ditën e djeshme lavde kriminelëve të dënuar të luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç dhe akuzoi Shtetet e bashkuara për “luftë hibride” kundër Republikës Serbe. Deklaratat, Dodik i bëri në Banja Lluka në kuadër të festës 2-ditore të Republikës Srpska, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës Hercegovinës që e shpalli antikushtetuese pasi diskriminon kroatët e boshnjakët.
“Kroatët dhe boshnjakët i detyruan të krijonin Republikën Serbe sepse donin t’i ndanin nga nëna Serbi. Politikanët serbë në asnjë mënyrë nuk janë përgjegjës për luftën, por Perëndimi gënjen kur flet për krimet serbe. Më në fund thuajeni se Srebrenica nuk ishte gjenocid. Rroftë Serbia, Rusia dhe bota ortodokse”, tha Dodik.
Këtë vit në Akademinë “Dodik” ishin të pranishëm vetëm disa mysafirë të huaj, si patriarku serb Porfirie, kryetari i Kuvendit të Serbisë në largim Vladimir Orliç dhe ambasadori rus Igor Kalabuhov. Më herët Banja Luka kishte njoftuar se aty mund të paraqitej edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, por ai nuk erdhi. Ndërsa presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç e refuzoi haptazi ftesën e Dodikut, duke thënë se Podgorica e respekton Bosnjën dhe Hercegovinën si shtet integral. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dërgoi një mesazh se Beogradi do të vazhdojë ta mbështesë integritetin e Bosnjë Hercegovinës dhe do të kundërshtojë përpjekjet për të shfuqizuar republikën Serbe. Republika Srpska u shpall më 9 janar 1992 nga i dënuari aktual për krime lufte Radovan Karaxhiç dhe vetëm 3 jetë më pas ndodhi gjenocidi me mbi 100 mijë të vrarë.
Dodik kërcënon sërish me shkëputje të Republikës Sërpska nga Bosnja
Dodik gjithashtu ka kërcënuar sërish me shkëputje të serbëve nga shteti multietnik, duke thënë se nuk kanë nevojë për një vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. I pyetur nëse ai do të kishte përkrahjen për shpalljen e pavarësisë së Republikës Srpska nga Bosnjë Hercegovina, tha se nuk ulësja në OKB nuk është e rëndësishme. “RS-ja ka nivel të lartë pavarësie. Hipotetikisht, RS-ja s’duhet të ketë ulëse në OKB, ka të tjerë që e kanë”, ka thënë ai. Sot, kur festohet ‘Dita e Republikës Sërpska’ SHBA-të reaguan ashpër ndaj festimeve të cilat i konsideruan anti-kushtetuese. Ndaj këtij qëndrimi, Dodik ka reaguar ashpër duke e cilësuar si ndërhyrje të ambasadorit amerikan. “Është ndërhyrje e ambasadorit amerikan. Çfarë ka të bëjë ai me këtë, kush dreqi është ai?” ka deklaruar Dodik.
Reagon SHBA-BE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ashpër ndaj Dodikut. Amerikanët paralajmëruan të martën se festimet e vazhdueshme të një feste kombëtare të vetëshpallur nga serbët e Bosnjës e cila përfshinte një paradë të trupave paraushtarake dhe policore – ishin në kundërshtim me kushtetutën e Bosnjës dhe një marrëveshje paqeje të vitit 1995, dhe si të tilla përbënin vepër penale. Në një deklaratë, ambasada e SHBA-së në Sarajevë u kërkoi autoriteteve ligjore të Bosnjës të “hetojnë çdo shkelje të ligjit” në lidhje me shënimin e 9 janarit si dita e entitetit të Republikës Srpska, që është ajo pjesë e Bosnjës e drejtuar nga serbët etnikë. “Çështja nuk është festimi i festës, por vendimi për ta bërë këtë më 9 janar”, thuhet në deklaratë. Gjithashtu BE e konsideron 9 janarin, që në Republikën Sërpska, entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë konsiderohet si Dita e Republikës Sërpska, si festë antikushtetuese. Kështu tha dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili përsëriti se blloku evropian e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar, duke theksuar se në Bruksel dënojnë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse. “Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnje e Hercegovinën. Ai pozicion është sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, tha Stano. Sa i përket cilësimit të 9 janarit si festë jokushtetuese, Stano tha se ky cilësim bazohet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.










