Ambasadori amerikan Donald Lu ka shpërthyer në kritika ndaj klasës politike shqiptare. Dje u zgjodhën 10 anëtarët e parë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por u dëshmua mungesa e konsensusit PD-PS. Kandidatët nga shoqëria civile, nga avokatia dhe pedagogët nuk u miratuan, por Kushtetua ka një mekanizëm zhbllokues, pasi në raundin e 3 kandidatët e përzgjedhur me short quhen të miratuar.
Por kjo gjë ka sjellë ditën e djeshme dhe reagimin e ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili nga njëra anë ka treguar se ky është një hap i madh në ngritjen e organeve të reja, ndërsa nga ana tjetër ka sulmuar fort politikanët. Sipas tij, mungesa e konsensusit tregon se ata kanë frikë nga reforma. Megjithatë ai u shpreh se falë Kushtetutës ky proces nuk u arrit të bllokohej. “Politikanët, në të majtë dhe në të djathtë, kanë frikë nga reforma në drejtësi. Mos u përqendroni në lajmin e keq se politikanët dështuan sërish të bashkëpunojnë në përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe të KLP-së. Përqendrohuni në lajmin e mirë se Kushtetuta e kishte parashikuar këtë gjë dhe sot i përzgjodhi anëtarët më mënyrë rastësore. Unë kam më shumë besim në një zgjedhje të rastit sesa në përzgjedhjen nga politikanët. Reforma në drejtësi ka hedhur një hap përpara”, tha ambasadori. Deklarata e tij ka qenë një goditje frontale për të gjitha partitë.
Edhe pse PS ka vijuar me procedurat dhe ka votuar për kandidatët që i shkuan Parlamentit, për ambasadorin të dyja kampet politike nuk e duan këtë reformë dhe kanë punuar për ta rrëzuar atë. Përzgjedhja e anëtarëve të KLGJ dhe KLP është një ngjarje historike. Në dy raundet e para asnjë prej kandidatëve nuk mori mbështetje nga partitë dhe emrat u zgjodhën me short. E njëjta gjë ndodhi dhe në raundin e tretë, por në Kushtetutë dhe ligj është vendosur një mekanizëm zhbllokues që emrat e zgjedhur me short në raundin e fundit quhen të miratuar dhe kështu ndodhi.
Hapat e mëtejshëm dhe lufta politike
KLGJ dhe KLP cilësohen si qeveria e sistemit të drejtësisë. Ato do të mundësojnë emrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa do të vendosin për shkarkimin apo ndëshkimin e tyre. KLGJ e KLP duhej të ishin ngritur një vit më parë, por ankimimi i vetingut në Kushtetuese dhe mungesa e kandidatëve nga shoqëria civile bëri që procesi të zvarritet. Por kandidatët që u përzgjodhën u sulmuan shumë fort nga PD. Ajo ka nxjerrë prova ku emra të caktuar ishin të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, kanë qenë të dënuar apo kanë qenë gjyqtarë apo prokurorë në kohën e komunizmit. Megjithatë procesi vijoi dhe dje u përzgjodhën 10 emrat e parë. Por kjo nuk do të mjaftojë për ngritjen e KLGJ dhe KLP. Tani sytë janë te vetingu. Secili organ ka nga 11 anëtarë. Dje u zgjodhën vetëm nga 5 për secilin prej tyre, tani duhen dhe 12 të tjerë. Sipas ligjit, 6 emra i zgjedh mbledhja e gjyqtarëve dhe 6 i zgjedh Këshilli i Prokurorisë. Deri më tani janë përzgjedhur kandidatët që plotësojnë kushtet, por pa kaluar vetingun nuk mund të përzgjidhen. Sapo të jepen rezultate zgjidhen emrat e mbetur dhe menjëherë ngrihen organet e reja./Kliti TOPALLI