Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, zëdhënësi i koalicionit qeverisës VLEN, Driton Sulejmani, deklaroi se rezultati i zgjedhjeve të 19 tetorit dëshmon qartë se shqiptarët kanë folur me një zë të vetëm për ndryshim dhe kundër keqqeverisjes.
Sipas tij, qytetarët kanë refuzuar arrogancën dhe mashtrimet politike, duke mbështetur fuqishëm kandidatët e VLEN në shumë komuna, përfshirë Tetovën, Dibrën, Strugën, Bogovinën, Bërvenicën dhe Dollnenin. Sulejmani tha se forca e këtij ndryshimi u ndje në çdo vendbanim shqiptar dhe se VLEN tashmë është në rrugë të sigurt drejt fitores përfundimtare në raundin e dytë.
Ai kritikoi ashpër koalicionin opozitar AKI, duke i akuzuar për mungesë reflektimi pas humbjes dhe për tentime për manipulim e bashkëpunim me forca antishqiptare si Levica.
Sulejmani përfundoi duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe theksoi se “e ardhmja është me VLEN – me njerëzit e punës, dinjitetit dhe vizionit”.