Më shumë se 300 personalitete nga bota e artit dhe medias i kanë bërë thirrje qeverisë britanike që t’i japë fund “bashkëpunimit” të saj me Izraelin.
“Ju bëjmë thirrje të ndërmerrni menjëherë hapa për t’i dhënë fund bashkëpërgjegjësisë së Mbretërisë së Bashkuar në tmerrin që po ndodh në Gaza,” thuhet në letrën e hapur drejtuar Kryeministrit britanik Keir Starmer dhe të siguruar nga Sky News të enjten.
Benedict Cumberbatch, Dua Lipa, Annie Lennox, Gary Lineker, Paloma Faith dhe Lena Headey janë disa nga emrat e artit dhe medias që iu bashkuan kësaj thirrjeje së bashku me mjekë të njohur, akademikë, organizata humanitare dhe një i mbijetuar të Holokaustit.
Letra, e udhëhequr nga organizata për të drejtat e refugjatëve Choose Love, e akuzon qeverinë britanike për lejimin e shitjes së armëve ndaj Izraelit dhe për dhënien e licencave për to, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tyre.
Thirrja e personaliteteve përfshin po ashtu qasje të menjëhershme humanitare për organizatat e ndihmës dhe i kërkon qeverisë britanike të angazhohet për ndërmjetësimin e një armëpushimi “për fëmijët e Gazës.”
Në letër përmenden fëmijët e uritur të Gazës, ndërkohë që ushqimi dhe ilaçet “qëndrojnë vetëm disa minuta larg.”
“Nuk mund ta quani ‘të patolerueshme’ dhe të mos bëni asgjë… Kryeministër, çfarë do të zgjidhni? Bashkëpërgjegjësi në krime lufte, apo guximin për të vepruar?”, thuhet në letrën drejtuar Starmerit.
Letra vjen pasi më shumë se 800 gjykatës dhe juristë i bënë thirrje qeverisë britanike të ndërmarrë hapa të arsyeshëm për “të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin.”
Ushtria izraelite, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 54 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Organizatat e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë në mesin e më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.