Dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut shënojnë rritje në numrin e pasagjerëve dhe fluturimeve

Dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit “Shën Pali Apostull”, kanë shërbyer gjithsej 2.585.096 pasagjerë gjatë nëntë muajve të parë të vitit, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i fluturimeve u rrit për 3%, me 20.141 fluturime të realizuara nga janari deri në shtator.

Sipas TAV Aeroporte, rritja është kryesisht rezultat i hapjes së tetë linjave të reja ajrore që filluan këtë vit, në bashkëpunim me kompanitë ajrore dhe Qeverinë.

Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, theksoi se trendi pozitiv reflekton suksesin e strategjisë afatgjatë të kompanisë dhe përkushtimin për përmirësimin e shërbimeve në të dy aeroportet. Ai paralajmëroi edhe shtatë linja të reja ajrore që do të fillojnë së shpejti: nga Shkupi për Bari dhe Stokholm më 27 tetor, dhe nga Ohri për Bazel po atë ditë; më 28 tetor, Shkupi lidhet me Madridin dhe Larnakën, dhe nga 15 dhjetori me Pragën dhe Këlnin.

Për vitin e ardhshëm janë planifikuar linja të reja nga Shkupi për Budapest dhe Napoli më 30 mars 2026, dhe nga Ohri për Milano më 30 mars, Vroklav më 7 qershor dhe Katovicë më 8 qershor.

Vetëm në shtator, dy aeroportet shërbyen 329.523 pasagjerë, 8% më shumë se vitin e kaluar, dhe realizuan 2.422 fluturime, një rritje prej 1%. Mesatarja ditore e pasagjerëve ishte 8.687 për Shkupin (5,7% më shumë) dhe 767 për Ohri (16,3% më shumë).

Analiza e periudhës janar-shtator tregon se Aeroporti i Shkupit shërbeu 2.375.264 pasagjerë, një rritje prej 5,4%, ndërsa Aeroporti i Ohrit regjistroi 209.832 pasagjerë, me rritje dyshifrore prej 16,2%.

Stambolli mbetet destinacioni më i frekuentuar nga Shkupi, me 16,9% të pjesëmarrjes në treg. Pas tij vijnë Bazel-Miluz (6,1%), Frankfurt (5,7%), Cyrihu (4,6%), Vjena (4,2%), Mynih-Memingen (4,1%) dhe Dortmund (4,1%).

Top-5 vendet me më shumë fluturime direkte janë Turqia (25,1%), Gjermania (24,7%), Zvicra (10,9%), Italia (5,2%) dhe Austria (4,4%).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu