Në njërin nga stadiumet më luksoze të futbollit në botë ‘Allianz Arena’ sonte u përballen dy nga ekipet më të mira të Evropës, Bayern Munich e Real Madrid. Nga tribunat e këtij stadiumi, fotografi publikuan edhe kryetarët e dy prej komunave më të varfra në Kosovë, Drenasi e Skenderaj. Ramiz Lladrovci e Bekim Jashari shkuan në Gjermani për ta përcjell nga afër super-ndeshjen e gjysmëfinales së Champion League, shkruan Periskopi.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci publikoi fotografi nga stadiumi, prej më luksozëve në botë ‘Allianz Arena’ në Gjermani, ku u zhvillua ndeshja mes Real Madridit e Bayern Munichit.
Në Gjermani, ai nuk kishte udhëtuar i vetëm.
Bashkë me të ishte edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, raporton Periskopi.
“Po përcjelli atmosferën e mrekullueshme në Allianz Arena, së bashku me miqtë e mi, Bekimin, Qëndrimin, Ilirin dhe Enisin. Kjo atmosferë është shumë e rrallë, sepse zhvillohet në një ndër stadiumet më të bukur në botë. Sa për lojën nuk po flasim, finale para finales, duke ditur edhe lojën që do të ofroj Bayerni, pres të mbesim të kënaqur. Sonte, për hir të Lapidarit, jam me Bayernin. Neve nuk na pëlqen balotazhi! Dihet!!!,”, shkroi Lladrovci në publikimin e tij në Facebook, ku shtoi edhe disa fotografi.
E shikimi i një ndeshje të tillë në një stadium aq luksoz kushton qindra euro.
Mediat ndërkombëtare që kanë publikuar çmimet e biletave për ndeshje të tilla, bëjnë të ditur se çmimet sillen nga 90 euro deri në 360 euro për ulëse.
Shuma të tilla paguan edhe kryetarët e dy prej komunave më të varfra në Kosovë, Ramiz Lladrovci i Drenasit, e Bekim Jashari i Skenderajt.
E siç shihet nga fotografitë, ata po e ndiqnin ndeshjen fare afër fushës, ku çmimet janë edhe më të larta.
Kështu, Lladrovci e Jashari po shfrytëzojnë privilegjet që kanë falë pozitave të tyre, ndonëse udhëheqin me komuna, ku qytetarët përballen edhe me varfëri ekstreme.
Në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Komuna e Drenasit ishte radhitur në mesin e tri komunave më të varfra të Kosovës, nga ku marrin ndihma sociale një mijë e 587 ekonomi familjare.
Për këtë çështje ka reaguar edhe kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, i cili ka ngritur dyshime se Lladrovci ka kryer udhëtimin me shpenzimet e veta.
Për këtë, ai i referohet deklarimit të pasurisë së Lladrovcit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Madje, ai shkruan se është ‘marre’ me ba fotografi nga një stadium i tillë, kur shumica e qytetarëve jetojnë jodinjitetshëm dhe në pamundësi të udhëtimit pa viza.
#Ramizi u ba „maca e zezë“ për ekipet vendase të cilave po u bënë tifo nga „vendi i ngjarjes“.Me 25.02.2018 i pat „sjellë“ fat Xhakes dhe Arsenalit në Emirates (Londër). Sot Bayernin po e përcjellë po i njëjti „fat“. Nejse, sport është ky! Por nëse e mendojmë së një biletë për ta përcjellë këtë ndeshje (fare afër fushës), mund të kushtojë disa qindra euro, bileta e avionit poashtu qindra euro, e hoteli poashtu, atëherë i bie që Kryetari Lladrovci qenka afër bankrotit, nëse ka shku atje me shpenzime të veta. Po i referohem deklarimit të pasurisë që Kryetari Lladrovci e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Marrja „u varrosë“ moti, përndryshe kur shumica e qytetarëve jetojnë jo dinjitetshëm dhe në pamundësi të levizjes së lirë, do ishte marru me ba fotografi në stadium!”, shkruan Drenori në profilin e tij./Periskopi