E ardhmja e Leo Mesit, “France Football” e vesh me fanellën e PSG-së

E ardhmja e Lionel Mesit është e destinuar të jetë një nga temat më të diskutuara nga tani, deri në verë, kur skadon kontrata “faraonike” që e lidh atë me Barcelonën.

Javët e fundit, thashethemet e kanë afruar “Pleshtin” me Paris Saint Germain dhe “France Football”, revista prestigjioze franceze që jep “Topin e Artë”, ka arritur deri aty sa ta vendosë “yllin” e Barcelonës në faqen e parë, të veshur me uniformën e PSG-së, me sfond drejt stadiumit “Parc des Princes”.

Një shenjë, se gjërat po lëvizin në atë drejtim. Në letër, Mesi tashmë mund të nënshkruajë një marrëveshje me parizienët gjatë muajve të ardhshëm dhe në Francë janë të sigurt se po bëhen të gjitha manovrat për ta bindur atë të pranojë propozimin e Al-Khelaifit.

Asi nën mëngë”, që PSG po përpiqet të luajë, mund të gjendet te disa elementë: nga njëra anë ka kolegë si Di Maria, të cilët do të ishin të kënaqur të qëndronin me kampionët e Francës, nëse do të vinte Mesi, por është edhe Nejmar, me të cilin Leo është në kontakt të vazhdueshëm.

Sipas “France Football”, braziliani po punon shumë për t’i treguar harmoninë që mbretëron në dhomat e zhveshjes së Parisit.

Nga ana tjetër, është trajneri Mauricio Pochettino, i cili gjithashtu është formuar në shkollën e Newell’s Old Boy dhe që pa dyshim do të ishte i gatshëm të luante të gjitha kartat për të stërvitur një nga futbollistët më të mirë të historisë.

Megjithatë, ekziston çështja ekonomike: Mesi ka një kontratë kolosale, me vlerë mbi 70 milionë euro neto në sezon, por duke marrë parasysh moshën e tij (ai do të mbushë 34 vjeç në qershor) dhe krizën ekonomike në mbarë botën e futbollit, ai do të duhet të bëjë kompromis në mënyrë të pashmangshme, qoftë me Barcelonën, ashtu edhe me një klub tjetër, nëse do të ndryshojë ambient.

Sipas skenarit të “France Football”, PSG mund të provojë një manovër të stilit “Beckham”, duke ia plotësuar pagën “faraonike” me lloje të tjera shpërblimesh dhe me projekte pas karrierës.

E gjitha kjo, natyrisht, nëse Mbappé do të qëndrojë. Në të kundërt, pra, në rast të transferimit të “yllit” francez në një klub tjetër, do të ishte më e lehtë për të përmbushur kërkesat e Leos.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu