“I preferuari i amerikanëve” brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, është emëruar dje Koordinator Shtetëror për Dialog nga Qeveria e Kosovës, ku do të jetë personi kryesor i ekipes nga Kosova kundër palës serbe në Bruksel.
Metro mëson se kryetari i LDK’së, Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi kanë rënë dakord që Skender Hyseni të jetë përfaqësuesi kryesor i Kosovës në dialogun me Serbinë, duke lënë anash edhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Skender Hyseni tani e tutje do të ketë mandat për të negociuar edhe për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, këtë e konfirmoi edhe vet presidenti Thaçi dje gjatë ditës.
Thaçi tha se Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.
“Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike”, ka shkruar Thaçi, transmeton Gazeta Metro.
Thaçi po ashtu ka shkruar se ka bindjen e plotë se angazhimi dhe përpjekjet e koordintatorit Hyseni do të ndërtojnë konsensues të brendshëm në mes të partive të pozitës dhe opozitës për të qenë të bashkuar në dialogun kundër Serbisë.
“Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi, transmeton Gazeta Metro.
Ndryshe, Skender Hyseni është edhe politikani i preferuar i amerikanëve dhe Departamentit të Shtetit amerikan tash e sa vite, duke parë pozitat e tij të mëhershme që ka shërbyer në diplomacinë kosovare qysh nga koha e pasluftës dhe pak para saj që ishte në stafin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Po ashtu Skender Hyseni vazhdon të mban komunikime me zyrtarë të lartë amerikanë, duke theksuar edhe vizitën e tij së fundi para rrëzimit të Qeverisë Kurti në SHBA.
Hyseni ishte takuar me 10 mars të këtij viti me emisari e SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ku kishte deklaruar se i ka premtuar heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe rinisjen e dialogut me palën serbe.
Ai po ashtu kishte shkruar se LDK’ja nuk do të lejon kurrë që Qeveria Kurti në atë kohë të prishë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.










