Kryeministri e kishte shmangur deri më sot një qëndrim për debatin që ndezën fotot e sheshit Skënderbej mëngjesin e Bajramit, të premten e 1 shtatorit.
Në fjalët që zgjodhi në parlament, ai përmendi dy herë fjalën “perde” për t’iu referuar ekranit, që kishte vendosur Komuniteti Mysliman në shesh. Herën e parë e quan “një perde që nuk e mbuloi monumentin”, ndërsa herën e dytë e quan atë “një perde e montuar mediatikisht”.
Duke komentuar debatin, kreu i qeverisë u shpreh se ndjehej më shumë i shqetësuar për atë ç’ka doli në pah nga kjo perde, debati që vë në dyshim harmoninë fetare dhe përkatësinë europiane të shqiptarëe.
PJESË NGA FJALA E RAMES SOT NE KUVEND
“Edhe vetë gjuha jonë sot, gjuha shqipe, gjuha e unifikuar shqipe, është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të shumë viteve të tranzicionit ku shkolla e humbi misionin dhe funksionin e saj, ca nga çorodia vlerore e pjellë prej tranzicionit e cila vazhdon sot e tërë ditën të na shfaqet në ca forma shqetësuese marrëzie, siç qe së fundmi ajo që përfshiu edhe vetë heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Njerëz që për hir të vërtetës, nuk mund të maten as me zgjatimin e fundbarkut të kalit të Gjergjit, mbinë nga dheu nëpër ekrane, portale dhe ballina për t’i bërë karshillëk, historisë së tij, historisë sonë, historisë së të gjithë fëmijëve tanë. Aq sa qesharak në marrëzinë e vet, ai episod kërkon analizë, reflektim, reagim, aspak për t’u marrë me perden, që në fakt nuk e mbuloi monumentin, por me ç’ka u shfaq, duke e përdorur atë perde, të montuar mediatikisht, si embrioni i një krimbi kërcënues. Dhe dëgjojeni me vëmëndje, i një krimbi kërcënues për një nga kolonat më të rënda mbajtëse të shtëpisë sonë, harmonisë fetare dhe përkatësisë europiane të shqiptarëve”










