Edi Rama godet keq Haradinajn: Për Kurtin thotë se do të bëhet kryeministër atëherë kur e heq taksën

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka thënë se ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, po e sulmon me paturpësi kryeministrin Albin Kurti, rreth taksës, teksa shton se ky i fundit udhëheqës bëhet nëse e heq taksën.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, Rama ka thënë se Haradinaj po e baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”, ka shkruar Rama.

Ky reagim vjen pasi Haradianj e akuzoi Kurtin për marrëveshje me Aleksandar Vucicin, rreth heqjes së taksës.

Gjithë këto akuza, Edi Rama i ka quajtur idiotësi. Ka thënë se ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.

“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.

Në fund, sipas tij, Kurti me heqjen e taksës do të ulet si kryeministër në zyrë.

“Albin Kurti është në rrugën e duhur!Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli ndërsa pjesërisht nga 15 marsi i këtij viti.

Sidoqoftë, një propozim të tillë e kanë kundërshtuar SHBA-të, ku ambasadori Richard Grenell ka thënë se ky është një gabim serioz i Kurtit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu