Edi Rama injoron vizitën e Glauk Konjufcës në Shqipëri, niset për vizitë dy ditore në Budapest

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është nisur drejt Budapestit, ku do ta realizojë një vizitë dy ditore. Vizita e tij siç është bërë e ditur do të jetë me fokus në integrimin dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Kjo ndodh pikërisht në ditën kur kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca do të vizitojë Shqipërinë dhe do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryekuvendarin Gramoz Ruçi dhe me kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Raportohet se Rama do të kthehet në Shqipëri më 9 qershor, në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë pritet ta mbajë seancën për ta votuar nismën për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Edi Rama është përfaqësuesi i lartë institucional, i vetmi të cilin nuk do ta takojë sot kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po qëndron në Shqipëri për vizitën e parë zyrtare, pas marrjes së detyrës.

Në anën tjetër, Konjufca do të takohet me kundërshtarin e Ramës në zgjedhjet e fundit, Lulzim Bashën dhe gjithashtu presidentin Meta, shkarkimi i të cilit është inicuar nga kryeministri Rama.

Marrëdhëniet e kryeministrit Rama dhe të Lëvizjes Vetëvendosje si parti politike nuk janë të mira. Kjo për arsye se LVV ka kandiduar në zgjedhjet në Shqipëri me tre kandidatë të cilët kanë marrë fare pak vota.

Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk gëzojnë raporte të mira mes vete për shkak të mospajtimeve politike që i karaktrizojnë këta dy politikanë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu