Është e njohur harmonia fetare për shqiptarët, ndërsa një e tillë është përshkruar nga kryeministri Edi Rama, teksa mediat greke i kanë bërë jehonë vizitës së tij zyrtare në Jerusalem.
“Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm që t’i dorëzohet nazistëve”, tha Kyeministri i Shqipërisë Edi Rama në Knesset teksa foli me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu në krah të tij.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalim në Knesset në Jerusalem të hënën (26.01.2026), duke lavdëruar Benjamin Netanyahun. “Mund t’ju them se gjunjët më dridhen pranë tij”, tha Rama, duke e përshkruar kryeministrin izraelit si një nga pesë folësit më të mirë në botë.
Gjatë fjalimit të tij në Knesset , Edi Rama theksoi marrëdhënien historike midis dy vendeve, duke deklaruar se Shqipëria shërbeu si një “strehë” për mijëra hebrenj gjatë periudhës naziste.
Personalisht, ai iu referua edhe çështjeve fetare të familjes së tij:
“ Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane, dy fëmijët tanë më të mëdhenj janë ortodoksë dhe më i vogli mund të zgjedhë një ditë të bëhet hebre… dhe kjo do të ishte një gëzim për ne. Familja jonë nuk është unike… Është një histori e zakonshme shqiptare. Shqiptarët festojnë së bashku ditët e rëndësishme fetare të njëri-tjetrit.”
“Kur të tjerët i dorëzuan hebrenjtë e tyre autoriteteve, shqiptarët i dorëzuan ata në një vend të sigurt. Kjo histori nuk është një zbukurim, është një busull që duhet ta ndjekim, nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na dha vetë Zoti dhe të krijojmë diçka të denjë për këtë dhuratë në këtë tokë, në mënyrë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk kemi guximin të përballemi sot ose nuk mësojmë nga dje. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ishte ndër vendet e para në Evropë që miratoi legjislacion të ri të përparuar kundër antisemitizmit”, shtoi ai.
Pastaj, duke bërë një retrospektivë historike, Rama theksoi:
“Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm – asnjë – që t’u dorëzohet nazistëve. Dhe askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë për një të vërtetë të thjeshtë, se të qenit mysliman dhe të qenit antisemit nuk lidhen së bashku nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e neveritshme e Zotit.”
Duke iu referuar lajmeve ndërkombëtare, Rama u përqendrua te përfshirjen e Shqipërisë në Këshillin e Paqes të Donald Trump, ndërsa drejtoi shigjeta edhe ndaj Hamasit , duke i përshkruar civilët palestinezë si “të burgosur” të organizatës.
Së fundmi, duke komentuar protestat e fundit në Iran , Kryeministri i Shqipërisë tha:
“Pyetja ime këtu është kjo: Si është e mundur që media botërore flet për 30,000 të vdekur në tre ditë në Iran, por nuk ka asnjë tubim në asnjë shesh në Evropë kundër Ajatollahëve që bëjnë thirrje për fundin e këtij regjimi?”/Mapo.al/










