Në një rrëfim të gjatë për familjen, shtëpinë e tij në Surrel, djemtë e tij, Gregorin dhe Zahon, por dhe marrëdhënien me Ilir Metën, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke folur për Blendi Fevziun në “Opinion”, ka treguar detaje nga jeta e përditshme, por dhe pasionet që kërkon të ushtrojë kur të mos jetë në politikë.
Thashë nuk do ta nisnim me batuta në fakt, por meqenëse e nisëm me gjumin.
Shtëpia ka një mur të gjatë, por meqenëse është shtëpia ime dhe duke qenë se unë jam pak si ndryshe, jo vetëm nga gjatësia, fakti është që hapësirat e brendshme të jetueshme janë më të vogla sesa hapësirat e tua të jetueshme dhe ka një oborr të brendshëm. Ka edhe një hapësirë tjetër, që është krejtësisht e papërdorur dhe që pret pikërisht kohën kur unë nuk do të jem më në këtë detyrë dhe do të kem mundësi të vazhdoj të merrem me…
Çfarë ka kjo hapësira tjetër bosh?
Asgjë. Është vetëm mundësia për kohën për jetën e tretë. Se një jetë të parën e kam pasur si artist. Si sportist. Si sportist, pedagog, njeri i lirë, që i jepja vetes të drejtën që të mos kisha asnjë pengesë. Jeta e dytë është kjo.
Po e treta?
Shpresoj të kem një jetë të tretë, e cila do të jetë përsëri një jetë individuale. Gati të krijon përshtypjen sikur po ndërtoni një azil pleqsh.
Çfarë do të jetë?
Me veprimtari tërësisht individuale. Kam një plan, por është thjesht një ëndërr.
Meqë hymë te shtëpia në fakt, se nuk doja të fokusohesha shumë aty.E keni projektuar vetë si ide shtëpinë?
Është një shtëpi që ka filluar si një ide e imja. Sigurisht më kanë ndihmuar dhe të tjerë, se nuk mundem dot të detajoj… Pjesën konstruktive. Nga pikëpamja personale, por po, është një shtëpi që filloi si ideja e 4 frutave në lëndinë. Njëra pjesë është oborr, pra hyn në shtëpi, por në fakt je përsëri jashtë. Ka një pjesë ndenjjeje që është 130-135 metra katrorë, ka dhe një pjesë gjumi që ka 3 ndarje, 3 dhoma por e gjitha është 90 metra katrorë. Pjesa e katërt është atelieja që me gjasë do të jetë…
Është e vërtetë, siç kam lexuar në shtyp, që e keni shtëpinë pa dritare, si një lloj bunkeri?
Është një zgjidhje e veçantë. Në fakt ka një dritare, po e vërtetë është, në pjesën e gjumit nuk ka dritare. Megjithatë ka dritë më shumë sesa po të kishte dritare.
A është e dekoruar për festa dhe kush merret me to?
Po, ka një pemë të Vitit të Ri brenda, ka dhe një pemë të Vitit të Ri jashtë në oborr.
Më duket pak e çuditshme që Edi Rama të ketë një pemë të Vitit të Ri klasike, me topat dhe me flokët e borës.
Po, por unë jam kryeministër kur dal nga shtëpia, ndërsa në shtëpi ka një mbret, Zaho. Është mbreti që vendos, kështu që mbretit nuk mundet dot t’ia privonim pemën e Vitit të Ri dhe topat në të.
Sa kohë kaloni me Zahon?
Do të doja të kaloja shumë më tepër, por megjithatë përpiqem që të mos ketë asnjë ditë që mund të fillojë ose të mbarojë pa Zahon.
Arrin ta perceptojë faktin që mungoni gjatë në shtëpi, ose nuk jeni prezent saç ndoshta ai do të donte?
Gjë që kam përshtypje, shumë fëmijë e ndiejnë. Kam përshtypjen që arrin sepse në momentin kur nuk është i kënaqur me mua, për një arsye ose një tjetër, për një lodër apo një film, apo për një top, thotë: “Shko në punë tani”.
Ndërkohë raportin me djalin e madh si e keni?
Është shok. Ka qenë shok që kur nuk ishte në moshë për të qenë shok, për arsye se marrëdhënia jonë ishte marrëdhënie shumë e posaçme dhe unë, nën shembullin e tim eti, kam qenë gjithmonë shumë këmbëngulës që ai të ishte sa më i lirë dhe të merrte sa më shumë vendime vetë.
Duket që vazhdimisht takoheni me Metën. Ju shoh që kaloni rrugën me duar në xhepa, për t’i shkuar në zyrë. Është folur që herë pas here e ftoni për të darkuar në Kryeministri, në darka që zgjasin gjatë. Cili është raporti juaj personal me Metën?
Kemi kaluar një periudhë që dihet. Jemi ritakuar me shumë më tepër eksperiencë dhe në fund të fundit, besoj, edhe me mirëkuptimin e brendshëm, por dhe me njëri-tjetrin, që nuk jemi këtu për të ndryshuar njëri-tjetrin, por jemi këtu për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke u munduar të jemi sa më komplementarë. Jemi dy njerëz komplet të ndryshëm. Nuk e di si do ishin marrëdhëniet tona, nëse do ishim dy fqinjë, por di që tek ky fakt që jemi kaq të ndryshëm, ka një potencial shumë të madh për të qenë komplementarë. Pra, siç ka një potencial për të qenë eksplozivisht antagonistë, ka dhe një potencial të madh për të qenë komplementarë. Besoj që me vështirësitë përkatëse, edhe ai, edhe unë përpiqemi që të shfrytëzojmë dhe të rrisim këtë potencial të të qenët komplementarë.