Elezi: Përfundon numërimi i votave për subjektet politike, mbi 84% pjesëmarrje në votimin jashtë Kosovës

Të dielën në mbrëmje është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në një konferencë për media.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezit, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr nga vendvotimet dhe janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.

Në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike është bërë në vendvotime menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit.

Elezi njofton se, përveç numërimit të votave të kandidatëve, në këto qendra do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit. Procesi do të zhvillohet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, me dy ndërrime pune, duke garantuar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve.

Duke folur për aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), KQZ bëri të ditur se përveç votimit të rregullt në 2,557 vendvotime, është mundësuar edhe votimi me kusht në 38 qendra votimi me gjithsej 57 vendvotime, votimi jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile për votuesit me nevoja të veçanta, si dhe votimi jashtë Kosovës në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës.

Sipas të dhënave preliminare, në 57 vendvotimet me kusht janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht në 38 komunat e vendit. Ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar për votimin jashtë vendvotimeve, për personat me nevoja të veçanta, ka qenë 2,860, ndërsa të dhënat për pjesëmarrjen do të publikohen së shpejti.

Sa i përket votimit jashtë Kosovës, KQZ njoftoi se nga 19,187 shtetas të regjistruar për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike, kanë votuar 16,165 qytetarë, apo 84.24 për qind.

Ndërkohë, për votimin përmes postës, rreth 58 mijë votues kanë qenë të regjistruar, ndërsa të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime ende nuk janë të disponueshme.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, vetëm nga tërheqja e dy kutive postare në Berlin dhe Bern janë marrë rreth 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime, ndërsa procesi i tërheqjes së tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu