Emri i Kryeministrit kalon nëpër zyret e LDK’së’, kjo ishte deklarata e Nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Haziri, që e shkroi dje krahas një fotografie të publikuar me kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa. Një gjë e tillë, ka nervozuar kogja shumë anëtarë të VV’së, reagimi i të cilëve ka qenë i menjëhershëm.
Në një fotografi të publikuar në rrjetin social Facebook, Haziri shihet me Mustafën dhe anëtarë të tjerë të LDK’së, Lumir Abdixhiku, Doruntinë Maloku e Arben Gashi.
Krahas fotografisë, ai ka lënë edhe një mbishkrim, i cili siç duket ishte një mesazh për Vetëvendosjen.
“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së”, ka shkruar Haziri.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarëve të ndryshem të Vetëvendosjes, ndërsa e para që ka publikuar një shkrim rreth kësaj, ka qenë Albulena Haxhiu.
“Ajo që tashmë është e qartë…emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, ka shkruar ajo në Facebook.
Pos Haxhiut, rreth kësaj ka reaguar edhe anëtari tjetër i VV’së nga Shqipëria, Boiken Abazi, i cili thotë se Vetëvendosje qëndron më lartë se LDK.
“Para zgjedhjeve LDK thoshte se ishte partia më e madhe në Kosovë, edhe pse Lëvizja kishte fituar më shumë mandate në vitin 2017. Pas zgjedhjeve, ku sërish Lëvizja doli fituese, thanë se jemi të barabartë. Të barabartë jemi vetëm përball një standardi matës. Por, me cilindo standard (sasior apo cilësor) që ta masësh (vota apo integritet), rezultati nuk del barazim, pasi Lëvizja qëndron më lart”, shkruan Boiken Abazi.
Së fundi, me një shkrim në rrjete sociale ka reaguar edhe një anëtar tjetër i VV’së. Donik Sallova, thotë se Haziri me këtë deklaratë po tenton të përmirësojë kredibilitetin e tij brenda LDK’së.
“Deklaratat e tij se emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së, është vetëm përpjekje për ta përmirsuar kredibilitetin e tij brenda LDK-së”, shkruan Sallova.
Kujtojmë se LDK dhe VV që prej shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve janë në bisedime për koalicion, madje shef i ekipit negociator për bisedime nga LDK është shpallur pikërisht Haziri.
Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar koalicioni, zyrtarë të të dy partive janë shprehur se nëpër këto takime po diskutohet për pika të ndryshme të qeverisjes, por jo edhe për ndarjen e ministrive, numri i të cilave nuk dihet akoma.