Kreu i shtetit turk mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Ceremoninë e Çmimeve të Mëdha të Kulturës dhe Artit, organizuar në ambientet e Kompleksit Presidencial në Ankara.
“Ne i japim Çmimet e Mëdha Presidenciale të Kulturës dhe Artit në shenjë falënderimi e mirënjohjeje për ata që derdhin mundin dhe kontributin e tyre në lartësimin e artit në vendin tonë”, tha ai duke përshëndetur nga zemra njerëzit e dijes, shkencës, kulturës dhe artit që do të laureohen më këto çmime.
“Këto troje mbi të cilat jetojmë, ky Anadoll i begatë, është si një dosje e madhe e prodhimtarisë artistike”, theksoi lideri turk duke shtuar se veprat e prodhuara në Anadoll, të cilat mbushin e zbukurojnë muzetë e botës, mjaftojnë e teprojnë për të treguar sesa kolosale është trashëgimia artistike e këtyre trevave.
Duke iu drejtuar artistëve, Presidenti Erdogan u shpreh me këto fjalë: “Ky komb po ju pret juve për t’u ringjallur nga hiri i tij dhe për të gjetur përsëri thesarin e tij të humbur, në aspektin estetik.”
Në fund të fjalës së rastit të kreut të shtetit, çmimet iu dorëzuan artistëve që u vlerësuan të denjë për Çmimet e Mëdha Presidenciale të Kulturës dhe Artit.









