Erdogan e cilëson Serbinë partneren më të fortë në rajon

Shkruar nga Diplomatico

Takimi në Ankara vulos boshtin strategjik Turqi–Serbi, ndërsa iluzionet për një mbështetje të pakushtëzuar ndaj shqiptarëve përplasen me realitetin gjeopolitik…

Deklaratat e Presidentit Erdogan pas takimit me Aleksandër Vuçiç konfirmojnë Serbinë si partneren kryesore të Turqisë në Ballkan, me investime në rritje dhe koordinim politik të qëndrueshëm. Ky zhvillim nuk është protokoll, por vijim i një linje strategjike historike mes Ankarasë dhe Beogradit. Në Tiranë dhe Prishtinë, retorika romantike për “vëllazëri” përplaset me faktin se interesat shtetërore turke ndjekin një bosht të qartë me Serbinë. Në gjeopolitikë nuk ekzistojnë emocionet, por balancat e fuqisë, dhe ky realitet kërkon një lexim më të ftohtë e më racional të raporteve në rajon.

Rexhep Taip Erdogan ka pritur sot në Pallatin Presidencial në Ankara Aleksandër Vuçiçin dhe e ka shpallur Serbinë si partneren kryesore të vendit të tij në Ballkan.

Në faqen zyrtare të Presidentit të Turqisë në Facebook shkruhet:
“Sot u takuam me Presidentin e Serbisë, Z. Aleksandar Vuçiç, në Pallatin tonë Presidencial. Diskutuam se çfarë mund të bëjmë në drejtim të mbrojtjes së stabilitetit dhe forcimit të zhvillimit ekonomik në Ballkan.

Në vitin 2015, rreth 100 kompani me pronësi turke operonin në Serbi, sot ky numër ka tejkaluar 1,500, ndërsa shuma totale e investimeve ka arritur në 300 milionë dollarë. Tregtia dhe investimet tona në rritje me Serbinë janë lokomotiva e marrëdhënieve tona.

Vëllimi total tregtar arriti në 3.5 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke iu afruar objektivit tonë prej 5 miliardë dollarësh. Diskutuam me Z. Vuçiç se çfarë mund të bëhet për të zhvilluar rajonin, të cilin e shohim si një urë miqësie midis Turqisë dhe Serbisë.

Ne po ndjekim projektet që synojnë zhvillimin e zonës. Marrëdhëniet tona njerëzore përbëjnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit tonë.

Shfaqja më e bukur e dëshirës së popujve tanë për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin është numri në rritje i turistëve të ndërsjellë. Sot Turqia është destinacioni i dytë turistik për turistët serbë. Qytetarët tanë janë gjithashtu në vendin e parë në listën e turistëve që vizitojnë Serbinë.

Ne jemi shumë të interesuar të rrisim volumin e mësimit të gjuhës turke në shkollat serbe. Po punojmë shumë për të siguruar që ky interes të përmbushet siç duhet nga institucione të tilla si Instituti Yunus Emre dhe Fondacioni i Dijes për Turqinë.”

Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një zhvillim thjesht protokollar, por me një përshkallëzim të rëndësishëm politik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Turqia i ka kushtuar gjithmonë rëndësi marrëdhënieve me Serbinë. Këto dy shtete kanë relacione të mira historike, që datojnë nga periudha osmane.

Pak vite më parë, Ankaraja mbështeti financiarisht një film që u bë viral në Netflix në lidhje me Sulltan Mehmetin, pushtuesin e Kostandinopojës. Përveç kësaj serie, televizionet turke kanë prodhuar disa versione serialesh për “Mehmet Fatihun”. Në thuajse të gjitha versionet, i jepet rëndësi e madhe figurës së Mara Brankoviçit, princeshës serbe që ishte nëna adoptuese e Mehmetit, figurë kyçe në diplomacinë e tij në Ballkan dhe në botën e krishterë.

Në fakt, ajo aleancë historike është thelbi i marrëdhënies ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, e cila nuk u zbeh kurrë. Nuk është rastësi që pas Luftës së Krimesë, në Traktatin e Shën Stefanit dhe më pas në Kongresin e Berlinit, Perandoria Osmane i dha territore shqiptare Malit të Zi dhe Serbisë pa rezistencë të fortë.

Kjo marrëdhënie është e rëndësishme për të dy vendet, siç e thekson edhe Erdogan në postimin e tij. Edhe pse Turqia ka qenë ndër të parat që ka njohur Kosovën, ajo nuk ka cenuar boshtin strategjik me Serbinë.

Si shtete serioze dhe të vetëdijshme për interesat e tyre, Turqia dhe Serbia kanë ruajtur linjën e tyre strategjike. Kjo është krejt normale dhe nuk duhet të krijojë iluzione në Tiranë apo Prishtinë.

Turqia nuk po bën asgjë të re; thjesht po ndjek vijën e saj të pandryshuar. Interesant është fakti se fansat e ethshëm të “Sulltanit” në Tiranë, që mbushin mediat me retorikë kundër Izraelit dhe hebrenjve, janë strukur dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht për këtë zhvillim.

Lakejtë e Erdoganit në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo Ulqin janë në siklet, sepse nuk mund të përdorin më flamurin e një morali selektiv, kur pretendojnë se Perandoria Osmane shpëtoi shqiptarët në Kosovë e Ballkan.

Turqia, edhe sot, nuk i njeh si pakicë kombëtare 5 milionë shqiptarët që jetojnë atje, ndërkohë që ka njohur grupe të tjera etnike si kurdët, çerkezët, grekët, armenët e të tjerë.

Shumica e shqiptarëve në Turqi janë zhvendosur me dhunë nga trojet e tyre në Sanxhak, Kosovë, Luginë të Preshevës, Plavë, Guci apo Maqedoninë e Veriut.

Nuk kemi të bëjmë me dramë, por me një politikë të pandryshuar që nga beteja e Kosovës në vitin 1389 e deri sot. Sipas konceptit të “thellësisë strategjike” neo-otomane, status quo-ja e dominimit serb duhet të ruhet, pasi një fuqizim i shqiptarëve do të sillte përmbysje gjeopolitike.

Aparatet strategjike të Turqisë e dinë se shqiptarët kanë aleatë natyralë në Europë dhe në Perëndim, gjë e ngulitur në histori që nga koha e Gjergj Kastriotit.

Kur Skënderbeu luftonte kundër forcave osmane të drejtuara nga Sulltan Mehmeti, kurora e Brankoviçëve ishte aleate e osmanëve. Sepse si Serbia, ashtu edhe Turqia, kundërshtarin strategjik e kanë parë gjithmonë në Perëndim.

Takimi i sotëm është një fakt demonstrativ që duhet t’i zgjojë ata që në mediat shqiptare ushqejnë iluzionin se “Turqia na do”.

Mund të ketë turq që e duan Shqipërinë, dhe shumë prej tyre mund të kenë gjak shqiptar. Por thelbi nuk është sentimental, është gjeopolitik.

Dhe gjeopolitika është shkencë e interesit, jo e emocioneve. Shqipëria mund të ketë marrëdhënie me Ankaranë, por në fund e ndan historia dhe e ardhmja strategjike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu