Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë me dije homologut të tij rus, Vladimir Putin, se Ankaraja po punon për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për luftën në Ukrainë.
Sipas presidencës turke, raporton Reuters, Erdogan theksoi se bisedimet e zhvilluara në Stamboll mes palëve kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për përpjekjet e paqes.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Kinë.
Përveç konfliktit në Ukrainë, Erdogan dhe Putin diskutuan edhe mbi marrëdhëniet dypalëshe, përpjekjet për paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, sulmet izraelite në Gaza, si edhe zhvillimet e fundit në Siri.
Kujtojmë se Turqia ka mbajtur një rol aktiv si ndërmjetëse mes Moskës dhe Kievit që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, në shkurt 2022. Në pranverën e po atij viti, Stambolli u bë arenë e bisedimeve mes delegacioneve ruse dhe ukrainase, ku u arrit një draft-marrëveshje, por që më pas dështoi për shkak të mospërputhjeve thelbësore.
Një nga sukseset më të dukshme të ndërmjetësimit turk ishte marrëveshja e korridorit të drithërave të Detit të Zi, e nënshkruar në korrik 2022 nën kujdesin e OKB-së dhe Ankarasë, e cila lejoi eksportin e drithërave ukrainase përmes porteve të bllokuara nga Rusia. Megjithatë, kjo marrëveshje u ndërpre në verën e vitit 2023, pasi Moska u tërhoq duke akuzuar Perëndimin se nuk mbajti premtimet për lehtësimin e sanksioneve ndaj saj.
Erdogan ka ruajtur marrëdhënie të balancuara si me Rusinë, ashtu edhe me Perëndimin, duke qenë njëkohësisht vend anëtar i NATO-s dhe një partner i rëndësishëm ekonomik i Moskës./tvklan.al