Presidenti turk Rexhep Taip Erdogani, sot deklaroi se në një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Tramp, ka theksuar se Venezuela nuk duhet të destabilizohet, pas operacionit të fundit ushtarak amerikan në atë vend të Amerikës Latine, në të cilin u arrestuan presidenti Nikolas Maduro dhe bashkëshortja e tij.
“Ne nuk miratojmë asnjë veprim, kudo në botë, që shkel legjitimitetin politik dhe të drejtën ndërkombëtare. Në rastin me Venezuelën, ne përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira dhe më korrekte, si për Turqinë ashtu edhe për popullin mik të Venezuelës”, deklaroi Erdogani pasi kryesoi seancën e parë të kabinetit të tij këtë vit.
Ai shtoi se në bisedën e tij me Trampin, ai përcolli shqetësimet e Turqisë në lidhje me gjendjen në Venezuelë, duke theksuar se vendi nuk duhet të shtyhet drejt paqëndrueshmërisë.
Erdogani theksoi se Maduro dhe populli venezuelian disa herë kanë treguar marrëdhënie miqësore ndaj Turqisë dhe se të dy vendet i japin përparësi solidaritetit të ndërsjellë në kohëra të vështira.
“Shkelja e të drejtave sovrane të shteteve dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare janë hapa të rrezikshëm që mund të çojnë në ndërlikime serioze në shkallë globale”, paralajmëroi presidenti turk.
“Në një botë ku mbizotëron sundimi i forcës, në vend të sundimit të ligjit, paqëndrueshmëria, krizat dhe konfliktet janë të pashmangshme”, shtoi Erdogani.










