Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), shpalosi 20 kandidatë për kryetarë bashkie për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mars të vitit 2019, raporton Anadolu Agency (AA). Kandidatët për tetë bashki metropolitane dhe 12 bashki provinciale u njoftuan nga presidenti turk në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë AK në kryeqytetin Ankara.
Erdogan emëroi ish-ministrin e Ekonomisë, Nihat Zeybekci, si kandidat për kryebashkiak të Izmirit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Mehmet Özhaseki, zëvendëskryetar i partisë dhe ish-ministër i Mjedisit dhe Urbanizimit, do të kandidojë për postin e kryebashkiakut të Ankarasë.
Në mbledhje po ashtu u shpalosën edhe kandidatët për Afyonkarahisar, Balıkesir, Bingöl, Çanakkale, Çankırı, Çorum, Eskişehir, Hatay, Karaman, Konya, Mardin, Muş, Sakarya, Sivas, Tokat, Trabzon, Uşak dhe Yozgat. Edhe pse kandidati për Stambollin nuk u shpalos gjatë mbledhjes së grupit parlamentar në Ankara, kryetari i parlamentit Binali Yıldırım është konkurrenti më i përfolur.
Të shtunën, Erdoğan njoftoi listën e 40 kandidatëve për kryetarë bashkie, duke përfshirë 14 bashki metropolitane dhe 26 bashki provinciale.
Zgjedhjet lokale në Turqi janë planifikuar të mbahen më 31 mars të vitit të ardhshëm.










