Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot se shumë shpejt do ta nënshkruajë një pako reformash të aprovuara nga Parlamenti i vendit, e cila hap rrugë për mbajtjen e një referendumi për një sistem presidencial, i cili do t’ia zgjerojë atij pushtetin. Erdogan tha para gazetarëve në Madagaskar se do ta bëjë vlerësimin e tij pa vonesa, sapo të kthehet në Turqi nga turi në Afrikë, transmeton Express.
Bordi elektoral i vendit do ta caktojë një datë për mbajtjen e referendumin, sapo Erdogani ta vejë nënshkrimin e vet në pakon e reformave të aprovuara nga Parlamenti.
Sipas Qeverisë turke, votimi do të mbahet në pjesën e parë të muajit prill.
Por, partia kryesore opozitare ka thënë se do të bëjë ankesë në gjykatën më të lartë të vendit për të kërkuar që aprovimi i reformave të shfuqizohet, duke cituar shkelje kushtetuese gjatë votimit në Parlament.
E kritikët i shohin reformat se një përpjekje për ta çimentuar pushtetin e Erdoganit, i cili akuzohet për sjellje autoritare.