Ajo është një nga erëzat më të përdorura në kuzhinë pasi mund të përdoret në mënyrë perfekte me të shumë pjata, qofshin ëmbëlsira apo edhe të kripura.
Përveçse është shumë e shijshme kanella është edhe shumë e shëndetshme, pasi trupi ka një mori përfitimesh prej saj.
Kanella nuk përdoret vetëm në kuzhinë por edhe në fushën e bukurisë. Duke patur një përdorim kaq të gjerë lind natyrshëm kurioziteti se nga vjen kjo erëz kaq fantastike, si prodhohet ajo?
Kanella bëhet nga lekura e disa pemëve që janë pjesë e familjes Cinamomum. Procesi i prodhimit të saj përfshin disa hapa.
Fillimisht fermerët e ndajnë lëkurën nga trungu i pemës, më pas ata e pastrojnë atë nga jashtë dhe nga brenda.
Kur lëkura e pastruar e pemës thahet, ajo mblidhet në formë roleje, në mënyrë natyrale, ma pas shkopinjtë e kanellës priten ose shtypen dhe formojnë pluhurin e kanellës.
Është krijuar një ide e gabuar e njerëzve se kanella prodhohet vetëm nga një lloj peme, por në fakt janë disa lloje pemësh nga të cilat ajo prodhohet. Rreth 80% e sasisë së kanellës që prodhohet në botë, prodhohet në Sri Lanka, pjesa tjetër prodhohet në Indonezi, Kinë, Vietnam dhe Burma.