Erion Veliaj reagon nga burgu për rezultatin e 11 majit: Jam pa fjalë, për mbështetjen

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, përmes një postimi në rrjetet sociale. Edhe pse ndodhet në paraburgim, Veliaj ka përçuar një mesazh falënderues ndaj Partisë Socialiste për fitoren, si dhe ndaj kolegëve të tij në Bashkinë e Tiranës për kontributin në këtë rezultat.

Në mesazhin e tij, ai vlerëson besimin e qytetarëve dhe thekson se rezultati i zgjedhjeve tregon qartë se qytetarët nuk i besojnë më opozitës, ndërsa vlerësojnë punën dhe zhvillimin që ka sjellë qeverisja socialiste.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt:

Miqtë e mi,

Nuk di nga t’ia nis. Jam pa fjalë, krejtësisht pa fjalë, përpara kësaj vale të jashtëzakonshme mbështetjeje që fshiu çdo dyshim, çdo pretendim, çdo helm e çdo baltë që iu hodh Partisë Socialiste në këto katër vite.

Shqiptarët folën – dhe folën fort! Folën më fuqishëm se çdo herë tjetër, që prej vitit të mbrapshtë 1997, kur i treguan vendin të njëjtit personazh grotesk që guxon të rikthehet përpara shqiptarëve, edhe sot, si të ishte një “ofertë e re”.

Një gjë kam mësuar unë për shqiptarët: nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen.

Ata nuk i besojnë më Saliut & co dhe 11 maji i vuri vulën këtij diskutimi.

Shqiptarët dinë të vlerësojnë ndryshimin, punën, zhvillimin dhe e dinë fare mirë që ka vetëm një forcë në këtë vend që mund ta çojë Shqipërinë përpara drejt Europës që kemi ëndërruar: Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe ekipi i tij.

Saliu & co nuk kanë vesh ta dëgjojnë zërin e popullit. Nuk kanë pasur kurrë sepse nuk e duan pushtetin për popullin. Që nga viti 2013 e deri sot, pas çdo humbjeje, kanë folur për vjedhje, për komplot, për një popull që nuk i meriton.

Por, nëse ka një gjë që na dallon ne socialistëve nga rivalët tanë është se ne dimë të dëgjojmë. Ne nuk jemi këtu për veten tonë – ne jemi këtu për të punuar, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Sot, unë jam krenar që jam pjesë e këtij projekti që ka transformuar Shqipërinë. Jam krenar që kam dhënë një kontribut, sado modest, në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që qytetarët e mbështetën masivisht në 11 maj me votën e tyre.

Sot ndihem i përunjur përpara kësaj mbështetje masive e dua të falenderoj secilin prej jush, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, nga Amerika në Greqi, nga Anglia në Turqi, që i besuan Partisë Socialiste.

Por, më lejoni që falenderimin më special ta ruaj per Tiranën time të dashur. Për familjen time të dytë. Për kolegët e mi të Bashkisë Tiranë dhe për ekipin e mrekullueshëm të Partisë Socialiste në Tiranë që me punën e përkushtimin e tyre arritën një fitore të paharrueshme.

Jeni të jashtëzakonshëm. Jam krenar për të gjithë ju!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu