Evropa përgatit “korridoret e luftës” për lëvizjen e tankeve

Bashkimi Evropian po përgatit plane të reja për të siguruar që ushtritë e vendeve anëtare të mund të lëvizin lirshëm përmes kontinentit në rast konflikti, raportoi Financial Times.

Sipas gazetës londineze, Komisioni Evropian po punon ngushtë me qeveritë kombëtare dhe me NATO-n për të krijuar një sistem të përbashkët transporti ushtarak që do të mundësonte zhvendosjen e tankeve dhe artilerisë së rëndë nëse Rusia do të zgjeronte agresionin e saj përtej Ukrainës.

Një nga idetë e diskutuara është krijimi i një rrjeti të përbashkët “mobiliteti ushtarak”, që do t’i lejonte shtetet e BE-së të përdornin kamionë, vagonë hekurudhorë dhe tragete të regjistruara në vende të tjera të unionit për transport ushtarak emergjent.

Qëllimi kryesor i nismës është të shkurtojë kohën e dislokimit të forcave brenda territorit të BE-së, duke përmirësuar infrastrukturën transportuese dhe duke thjeshtuar procedurat doganore në rast emergjence.

Propozimet janë ende në fazë të hershme dhe mund të pësojnë ndryshime, ndërsa pengesat kryesore lidhen me buxhetin dhe koordinimin logjistik mes vendeve anëtare.

Megjithatë, zyrtarët evropianë e shohin këtë projekt si pjesë të domosdoshme të përgatitjeve për një skenar të mundshëm përshkallëzimi të luftës nga Rusia.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu