Familja shqiptare sulmohet nga tifozët serbë në Zvicër

Një familje shqiptare është sulmuar në Cyrih të Zvicrës të shtunën mbrëma, menjëherë pas ndeshjes eliminatore për Botërorin 2026 mes Serbisë dhe Shqipërisë, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve 1:0 në Leskoc.

Sipas raportimit të mediumit zviceran “Blick”, familja shqiptare kishte dalë për të festuar fitoren e Shqipërisë, duke udhëtuar me një veturë Mercedes që mbante flamurin kombëtar shqiptar.

Në zonën Schwamendingen, pranë një bari, ata ranë në kontakt me një grup tifozësh serbë.

“Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe na theu xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta zinxhir apo rrip.

Copëzat e xhamit fluturuan në ulësen e pasme, ku ishte vajza jonë 10-vjeçare”, rrëfen Donika J., e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit.

Ajo thotë se sulmuesi goditi xhamin në lartësinë e kokës së saj dhe shpërthimi i xhamit ishte aq i fortë sa familja u trondit rëndë.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që diçka e tillë do të ndodhte në Zvicër”, shtoi ajo me lot në sy.

Familja njoftoi menjëherë policinë e Cyrihut, e cila konfirmoi se ka marrë të paktën një raportim për një veturë të dëmtuar dhe disa njoftime për trazira gjatë mbrëmjes.

Incidenti në Zurich nuk ishte i vetmi. Edhe në Luzern, pas ndeshjes, janë raportuar përleshje dhe provokime mes tifozëve të Serbisë dhe Shqipërisë.

Sipas policisë, festimet shkaktuan bllokime trafiku dhe mbyllje të përkohshme të rrugëve, ndërsa u lëshuan 50 gjoba për shkelje të ndryshme të ligjit të trafikut.

Autoritetet zvicerane po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa komuniteti shqiptar në Zvicër ka dënuar sulmin, duke kërkuar ndërhyrje më të ashpër të policisë ndaj akteve të urrejtjes etnike. /telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu