Fiat po mendon të kufizojë shpejtësinë maksimale të veturave në 120 km/h!

Drejtori ekzekutiv i Fiat, Olivier François, tha se do të dëshironte të kufizonte shpejtësinë maksimale të veturave urbane të kompanisë së tij në 120 km/h, si alternativë ndaj pajisjes së tyre me teknologji të shtrenjtë sigurie, të cilën ai e konsideron të panevojshme për ngasje me shpejtësi të ulët.

Ai shtoi se shumica e teknologjive ADAS që kërkohen nga rregulloret aktuale të BE-së janë të dizajnuara për të përmirësuar sigurinë në shpejtësi më të larta, prandaj nuk kanë shumë lidhje me vetura si 500, Panda dhe Grande Panda, të cilat përdoren kryesisht në qytet.

Sipas François, instalimi i kësaj pajisjeje rrit pa nevojë çmimin e këtyre modeleve pa sjellë shumë përfitime për konsumatorin, dhe ai mendon se kufizimi i shpejtësisë maksimale mund të jetë një zgjidhje më e përballueshme. Asnjë nga këto modele nuk është zyrtarisht në gjendje të arrijë shpejtësinë prej 160 km/h, ndërsa Grande Panda EV është gjithsesi e kufizuar në 130 km/h.

François përshëndeti propozimet e BE-së për një kategori të re M1E për veturat e vogla, duke thënë se kjo tregon njohjen se rregullat e sigurta të imponuara njëanshmërisht nuk janë të përshtatshme për të gjitha segmentet, raporton Autocar.

“Ne në thelb mendojmë se, me gjithë këto rregulla, problemi më i madh është tek automjetet urbane dhe ngasja në qytet, sepse të gjitha këto automjete janë të vogla dhe të lira. I blejnë të rinjtë për udhëtime të përditshme në qytet. Ata vozisin me shpejtësi shumë më të ulët. Më vjen vështirë të kuptoj pse duhet të instalojmë gjithë atë harduer të shtrenjtë: sensorë, kamera, njohje e sinjaleve rrugore… Të gjitha këto janë të papërshtatshme dhe kanë kontribuar në rritjen e çmimit mesatar të makinës urbane për 60 për qind gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit. Nuk mendoj se makinat urbane të viteve 2018 apo 2019 ishin veçanërisht të rrezikshme”, tha ai.

Për shkak të gjithë këtyre arsyeve, François tha se Fiat mund të konsideronte uljen e shpejtësisë maksimale të disa automobilave të tij.

Nëse Fiat do të vendoste një kufizim të shpejtësisë, ai do të ndiqte shembullin e Volvos, i cili në 2020 kufizoi të gjitha modelet e tij në 180 km/h si pjesë e përpjekjes për të ulur numrin e aksidenteve fatale në veturat e tij në zero. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu