Analisti politik Visar Xani, ka thënë se kryeministri në detyrë njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka ofruar dy poste në qeveri, Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt.
Xani në emisionin “Këndi i Debatit” ka thënë se Limajt i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe drejtimi i Ministrisë së Tregtisë.
“Oferta për z. Limaj ka qenë që t’i ofrohet pozicioni te Ministria e Tregtisë dhe t’i jepet posti i zëvendëskryeministrit pra me qenë figurë kyçe në qeveri”, ka thënë Xani.
Se është i gatshëm të ketë bashkëpunim në Qeveri me Limajn e ka thënë edhe Kurti, por ai ka treguar se Limaj ka kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit, të cilin siç ka thënë Kurti nuk mund t’ia jap një partie me tre deputetë.
Ndërsa, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se në këtë fazë nuk janë të interesuar të jenë pjesë e Qeverisë Kurti3. Por, ai ka thënë se do ta votonin
Qeverinë Kurti3, nëse do të kishte një marrëveshje për postin e kryeparlamentarit.
Të dielën ka dështuar edhe përpjeka e 24-të për konstituimin e Kuvendit.