Filloi ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Maqedonia e Veriut – Shqipëria

Pas një periudhe ngecjeje, sot filluan punimet ndërtimore të njërit prej projekteve më të mëdha elektroenergjetike në dhjetë vitet e fundit. Vendosja e gurthemelit për linjën interkonektive 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë shënon rifillimin e projektit, i cili ka rëndësi strategjike për stabilitetin energjetik dhe integrimin rajonal. Projekti është pjesë e Korridorit 8 Pan-evropian, i cili do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve elektroenergjetike të dy vendeve, rritjen e sigurisë në furnizim dhe avancimin e shkëmbimit ndërkufitar të energjisë elektrike.

“Ky interkoneksion nuk është vetëm kabllo, shtyllë apo linjë transmetimi. Kjo infrastrukturë është një urë besimi, shembull se si dy vende mund të ndërtojnë diçka që është e mirë për to, por edhe për gjithë rajonin. Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në energjetikë është I natyrshem, i domosdoshëm dhe largpames. Sistemet tona mund të plotësojnë njëra-tjetrën, resurset tona mund të krijojnë sinergji”, tha drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, doc. dr. Burim Latifi.

Duke rikujtuar arsyet që e bllokuan projektin për vite dhe punën e mundimshme për ta rifilluar atë, Latifi shtoi: “E gjetëm një projekt plotësisht të bllokuar. Për katër vite projekti nuk ishte realizuar as 4%. Më pas, i identifikuam pikat e dobëta, i eliminuam barrierat administrative dhe për një kohë të shkurtër e shndërruam këtë projekt nga një projekt në letër në projekt në terren. Ky investim që për një kohë të gjatë ishte i bllokuar, më në fund po rifillon dhe hyn në fazën e tij më të rëndësishme – fazën e ndërtimit.”

Duke theksuar rëndësinë e projektit për lidhjen rajonale, ministri i energjetikës i Republikës së Shqipërisë, Enea Karakaçi, tha se ky është një investim në sigurinë e përbashkët, zhvillimin dhe integrimin evropian. Zëvendësshefi i delegacionit të BE-së, Nupnau Ben, theksoi se me investimin në këtë projekt dhe mbështetjen e lidhjes energjetike ndërkufitare, sigurohet jo vetëm siguria energjetike e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe e BE-së.

“Në këto kohë turbulente të ndryshimeve gjeopolitike, më shumë se kurrë duhet së bashku të vazhdojmë të ndërtojmë një union të vërtetë përmes forcimit të rrjeteve, zhvillimit të burimeve të rinovueshme, ndërtimit të interkoneksioneve dhe integrimit të tregjeve, me qëllim rritjen e furnizimit me energji nga burime të pastra, të gjelbra dhe vendore.”

Ky projekt krijon një urë të re energjetike ndërmjet rajonit dhe Evropës, me përfitime të rëndësishme ekonomike dhe zhvillimore, tha përfaqësuesi i BERZH-it, Fatih Turkmenoglu. Për këtë projekt strategjik, BERZH tashmë ka siguruar një kredi prej 37 milionë euro për MEPSO dhe ka mobilizuar një grant shtesë investimi prej 12 milionë euro përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Fillimi i ndërtimit të linjës interkonektive nga TS Manastir 2 përmes TS Ohër deri në kufirin Maqedoni e Veriut – Shqiperi është bazë strategjike për hartën e re energjetike të vendit tonë, tha ministrja e energjetikës Sanja Bozhinovska.

“Ajo që po e fillojmë sot do të zgjasë shumë më gjatë se një mandat, një gjeneratë apo një cikël ekonomik. Ne po vendosim infrastrukturën që do ta përdorin kapacitetet e ardhshme prodhuese, industritë e reja, platformat digjitale, qendrat e të dhënave dhe gjeneratat që vijnë. Prandaj besoj se dita e sotme do të shënohet si një pikë e rëndësishme në zhvillimin e energjetikës ne vendin tone”, tha ajo.

“Linja Manastir – Elbasan e mbyll boshllëkun energjetik”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

“Për herë të parë bëhemi plotësisht të lidhur me të gjitha sistemet elektroenergjetike të vendeve fqinje. Kjo do të thotë më shumë siguri për qytetarët dhe stabilitet për ekonominë”, deklaroi kryeministri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu