Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë kanë filluar me procesin e regjistrimit. 120 deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, kanë filluar me procesin e regjistrimit për Legjislaturën e Vlll-të të këtij institucioni, në hollin e objektit të Kuvendit, në Prishtinë.
Për shkak të numrit më të madh të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit, të parët që kanë filluar me procesin e regjistrimit si deputetë të rinj janë ata nga Lëvizja Vetëvendosje.
Më pas, në këtë proces që do të zgjasë deri të premten, do të regjistrohen deputetë e partive tjera, me radhë të bazuar në numrin e deputetëve të fituar.
Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë, Lista Serbe ka siguruar 10 vendet e rezervuara për minoritetin serb.
Nga minoritetet tjera joserbe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 deputetë dhe nga 1 deputet kanë siguruar Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciativa, Nova Demokratska Stranka, Social Demokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Kryesia e vjetër e Kuvendit, vendosi të martën që pas regjistrimit të deputetëve të rinj, seanca konstituive të mbahet më 22 mars, seancë e cila simbolikisht do të “kryesohet nga deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri”.
Kjo seancë do t’i ketë tre pika të rendit të ditës: Formimin e komisionit për verifikimin e mandateve; Dhënien e betimit të deputeteve dhe Zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Përgjatë kësaj jave, kandidati për kryeministër njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kandidatja për presidente nga kjo parti Vjosa Osmani, kanë takuar krerë të partive shqiptare dhe atyre nga minoritetet për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja.









