Flamuri amerikan ngritet në Damask për herë të parë që nga viti 2012

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Sirinë, Thomas Barrack, ngriti flamurin amerikan mbi rezidencën e ambasadorit në Damask për herë të parë që nga mbyllja e ambasadës në vitin 2012, një vit pas shpërthimit të luftës civile.

Pas muajsh angazhimi me qeverinë e re siriane, SHBA-ja ka intensifikuar lidhjet javët e fundit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se presidenti amerikan Donald Trump u takua me presidentin e ri sirian Ahmed al-Sharaa në Riad në mes të majit dhe administrata e tij lehtësoi sanksionet ndaj vendit.

Barrack, i cili është gjithashtu ambasador i SHBA-së në Turqi, u emërua i dërguar në Siri më 23 maj dhe është në vizitën e tij të parë zyrtare në vend.

Raportohet se SHBA mbylli ambasadën e saj në Damask në shkurt 2012, gati një vit pasi protestat kundër presidentit të atëhershëm Bashar al-Assad u përshkallëzuan në një konflikt të dhunshëm që ka shkatërruar Sirinë për më shumë se një dekadë.

Ambasadori i atëhershëm Robert Ford u tërhoq nga Siria pak para mbylljes së ambasadës.

Ndryshe, të dërguarit e mëvonshëm amerikanë në Siri operuan nga jashtë. /Telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu