Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që ka dalë sot para gjykatës së Colmar në Francë, i ndaluar sipas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, deklaroi në gjyq se “do t’i respektoj të gjitha obligimet dhe procedurat ligjore, sikundër i kam respektuar përherë. Megjithatë, kërkesa e Serbisë është politike”.
Megjithatë, gjykata franceze vendosi lirimin e tij me kusht, moslargimin nga Franca dhe detyrimin për t’u paraqitur para autoriteteve franceze dy herë në javë derisa të shqyrtohet kërkesa e Serbisë për ekstradim.
Hardinaj ka hyrë sot në gjykatë në një kohë kur mijëra shqiptarë kanë protestuar jashtë saj duke kërkuar lirimin e tij e duke insistuar se arrestimi ishte politik.
Protestat kundër arrestimit të Haradinaj kanë nisur që nga dita e ndalimit të tij nga Franca më 4 janar 2017 dhe janë zhvilluar pareshtur çdo ditë në Kosovë, Shqipëri, Francë, SHBA, kudo ku ndodhet diaspora shqiptare.
Njëzëri shqiptarët janë bashkuar anëkënd botës për të çliruar liderin e UÇK-së nga akuzat e Serbisë me parullën “Haradinaj është Kosova”.
Ja si u paraqitur sot Haradinaj para gjyqit dhe si e prisnin shqiptarët jashtë godinës së gjykatës në Colmar të Francës.