Nuk i kishte mbushur ende 16 vjet… Irdi Duda, shqiptari që prej vitesh jetonte në Itali, gjeti vdekjen mbrëmjen e së hënës, teksa ishte duke ecur në rrugë kur kthehej nga palestra për në shtëpi.
Ai është rrëzuar në rrugën e “Dëshmorëve të Lirisë” në qytetin e Sanremos, rreth orës 22:30, si pasojë e një dhimbjeje që ka ndjerë dhe ndërroi jetë pak çaste më vonë. Ai është rrëzuar, dhe ka goditur një motor sccoter të parkuar në anë të rrugës, duke rënë më tej në asfalt. Ndihma e shpejtë që i erdhi në ndihmë të riut shqiptar arriti ta çojë atë në spital, por aty nuk mundi të mbijetojë. Mesazhe të shumta ngushëllimi kanë pushtuar faqen e tij në rrjetin social Facebook. E po ashtu kurajë e ngushëllime ka pasur edhe për prindërit e Irdit, të cilët sapo morën lajmin tragjik nxituan në spitalin Borea për të parë trupin e fëmijës së tyre.
“Do të jesh gjithmonë miku im, më ruaj nga aty lart. Lamtumirë Irdi, do të jesh gjithmonë me ne. Ishe një mik i vërtetë, pusho në paqe”. – janë disa nga mesazhet që kanë lënë miqtë e Irdit.
Në vendngjarje policia ka marrë edhe sendet personale të 16-vjeçarit, çantën e shpinës ku ai kishte veshjen sportive për në palestër dhe një palë doreza. Ai ka praktikuar edhe kikboks. Gjithashtu ai luante edhe futboll amerikan me “Waves Riviera dei Fiori”.
Një atak në zemër mendohet t’i ketë marrë jetën të riut, megjithatë vdekja e tij është ende e mistershme dhe pritet zbardhja e autopsisë. Por deri në mësimin e shkakut që mori nga jeta në lule të rinisë, Irdin 16-vjeçar, për familjen dhe të afërmit e tij, tani është koha e dhimbjes!/express